Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka deklaruar se LVV nga fillimi e konsideron të dëmshme dhe tashmë e sheh të vdekur çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, meqë është marrë vendim nga Gjykata Kushtetuese më 23 dhjetor të vitit 2015, njofton Insajderi.
Kështu u shpreh ai derisa sot së bashku me nënkryetaren e VV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, kanë pritur në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Takimi kishte karakter njoftues mbi punën e Komisioneve Parlamentare dhe rolin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në raport me to.
Ambasadori Szunyog vuri theks të veçantë tek projektligji për Financimin e Partive Politike dhe votimin për zgjedhjen e Komisionarit për Mbrojtje të Dhënave Personale dhe Privatësi. Ai po ashtu tha se agjenda evropiane duhet të jetë prioritet i të gjitha subjekteve dhe grupeve parlamentare.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje e njoftuan ambasadorin për punën e Kuvendit, me theks tek interpelancat të cilat janë mbajtur deri tani e tjerat që priten të mbahen në javët në vijim.
Fatmire Mulhaxha Kollçaku tha se e sheh të dëmshëm vendimin e Qeverisë për shuarjen e Task-forcës së Antikorrupsion dhe për këtë duhet kërkuar llogari.
Ajo tha se komisioni që drejton do të bëjë çmos që kjo çështje ta marrë vëmendjen dhe trajtimin e duhur. /Insajderi.com