Kadri Shalës, pronarit të kompanisë “LDA Group”, ku u dërguan ilegalisht mbi dy milionë euro nga Thesari i Shtetit, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Kështu ka njoftuar për Insajderi-n, zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Vendimi për të dyshuarin Shala, e ka marrë prokurori kompetent që ka të bëjë me rastin në fjalë, tregon Kelani.
Shala më herët u vetëdorëzua në polici, derisa avokati i tij, Osman Hoxha, deklaroi se klienti i tij ka ardhur nga Turqia për t’iu dorëzuar organeve të rendit në Kosovë.
Deklarime e para të Shalës ishin se ai me t’i dalur në konto paratë, ka shlyer disa borxhe.
Gjithçka kishte filluar me nëntë tetor, kur Zyrtari i Thesarit të Kosovës, Labinot Gruda, dyshohet të ketë kryer katër transaksione me më shumë se dy milionë euro të shtetit – të cilat u dërguan në kompaninë e Shalës me bazë në Llapushnik të Drenasit.
Madje, skandali i vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga buxheti i shtetit, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, është planifikuar mbi një strategji që gjeti zbatim për tetë minuta.
Gruda, siç shpjegon drejtori i Thesarit, Ahmet Ismaili, “kishte kryer funksionin e menaxherit të tavolinës ndihmëse, detyra e tij ishte krijimi i përdoruesve të punëtorëve në sistem”.
Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit të Kosovës tutje ishte shprehur se e ka menduar dorëheqjen nga ky post, pas transferit të mbi dy milionë eurove nga ky institucion në kompaninë nga Llapushniku i Drenasit, prej së cilës kanë rrjedhur në dhjetëra llogari të tjera.
“E kam menduar dhe jam jashtëzakonisht i thyer pas rastit”, ka thënë Ismaili, duke shtuar se pas zbardhjes së rastit, do ta shqyrtojë qëndrimin e tij në pozitën e udhëheqësit të Thesarit.
Më 20 tetor, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda u arrestua, nën dyshimin, se përmes katër transaksioneve e ka bërë transferimin e këtyre mjeteve.
Zyrtari i Thesarit dyshohet se ka transferuar saktësisht 2,077,995.90 euro (dy milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë) nga buxheti i shtetit.
Për të arrestuarin Labinot Gruda, Gjykata Themelore e Prishtinës të enjten ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh./Insajderi.com