Sveçla: Tenderi i Veliut për targa është fund e krye korrupsion

Sveçla: Tenderi i Veliut për targa është fund e krye korrupsion

Ish-ushtruesi i detyrës së Ministrit të brendshëm në Qeverinë Kurti, Xhelal Sveçla, ka komentuar raportimet e Koha.net për nënshkrimin e kontratës për targa nga ana e Ministrit të tanishëm, Agim Veliu, duke thënë se zhbërja e Taskforcës anti-korrupsion ka lidhje me nënshkrimin e këtyre kontratave.

Unë besoj se kjo taskforce është zhbërë me arsye. Arsyeja është për të mbrojtur interesat e individëve të caktuar. Për të pamundësuar luftimin e krimit në fusha të caktuara dhe një ndër to duket se është kjo kontratë e cila prej fillimit deri në fund është korrupsion”, thotë ai tek emisioni DPT te Fidani në T7, transmeton Insajderi.

Ai, ka thënë se sa ishte pjesë e kësaj ministrie, ka kërkuar hetim të thuktë në lidhje me këto kontrata, pasi që ka shkelje të njëpasnjëshme.

“I gjithë historiku ka filluar me hapjen e një tenderi për furnizim me targa ku pas deklarimit të fituesit bëhet ankesë dhe pastaj kemi shpalljen e tri kontratave afatshkurtra pa konkurrencë pa shpallje. Të trija i fiton e njëjta kompani. Shihet se ka shkelje të njëpasnjëshme. Në momentin që unë kam marrë detyrën jam ballafaquar me këtë lënë dhe bashkëpunëtorëve të mi ju kam kërkuar që ta bëjnë analizën e thukët për këtë kërkesë. Është hera e tretë që kjo jepet. Herën e parë është dhënë në shkurt të 2019. Herën e dytë më 11 nëntor 2019 me vlerë 246 mijë euro. Dhe herën e tretë tash këto ditë me vlerë 318 mijë euro. E gjithë procedura fillestare ka bërë fjalë për një shumë tepër më të vogël”, përfundon Sveçla.

Sveçla, ishte emëruar si ushtrues detyre i ministrit të brendshëm, pas shkarkimit që iu bë Agim Veliut, nga kryeministri i atëhershëm, Albin Kurti./Insajderi.com.