Deputetët thonë se në Merdar nuk ka asnjë shenjë se është Kosovë

Deputetët thonë se në Merdar nuk ka asnjë shenjë se është Kosovë

Pala serbe nuk është duke i respektuar marrëveshjet që janë arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe së fundmi më 4 shtator në Uashington, transmeton Insajderi.

Kështu kanë deklaruar anëtarët e Komisionit për çështje të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Kollçaku (LVV), pas vizitës në pikën kufitare në Merdar të martën, ka thënë se përveç afrimit fizik ndërmjet policëve serbë dhe atyre shqiptarë në objektin e ndërtuar nga Komisioni Evropian, nuk ka asnjë bashkëpunim ndërmjet dy vendeve. Sipas saj, Serbia vazhdon ende ta konsiderojë këtë pikë kufitare vetëm si kufi administrativ. Madje, Kollçaku thotë se nuk ka asnjë shenjë që sinjalizon se këtu është Kosovë.

Njëjtë ka konstatuar edhe anëtarja e këtij Komisioni nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu.

“Dhe nga pyetjet që i parashtruam, përveç këtij objekti që shihet se është i ri, nuk sheh asgjë të re, nuk sheh një bashkëpunim, këmbim të informatave e një zbatueshmëri të marrëveshjes siç është folur, marrëveshje së IBM-së”, është shprehur deputetja Musliu, raporton Koha.

Ndërsa, Ilir Tasholli nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se është informuar nga përgjegjësi i kësaj pike se të gjitha veprimet që kryhen këtu, akoma janë sipas Marrëveshjes e Brukselit të nënshkruar më parë.

“Sigurisht që Kosova tash është në proces të dialogut edhe duhet me pas edhe prej marrëveshjeve të fundit që janë arritur në Ëashington, do të duhej të dalin udhëzuesit dhe konform udhëzuesve të marrëveshjes për dialogun duhet të veprojmë. Nuk është një pikë e lehtë. Po shpresoj që në vazhdim të procesit të dialogut do të vazhdojnë përpjekjet për mbylljen edhe të temave të tjera, të cilat ende nuk janë të zgjidhura”, ka thënë ai. /Insajderi.com