46% e punonjësve të mediave s’kanë përfituar nga pakoja fiskale emergjente

46% e punonjësve të mediave s’kanë përfituar nga pakoja fiskale emergjente

Rreth 46% e punonjësve medial nuk kanë përfituar nga pako fiskale emergjente, ndërsa 43% kanë pranuar mbështetje, madje në disa raste edhe kur kanë përfituar vetëm punëdhënësit.

Gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët gjatë kohës së pandemisë përveç vështirësive në raportim, janë përballur me largime nga puna ose zvogëlim të pagës. Ndër tjera, shumë të tjerë kanë pasur rëndim të gjendjes mendore.

Kështu u tha në publikimin e raportit “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në gjendjen ekonomike të gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve”, të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës me mbështetje të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Drejtoresha ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Getoarbë Mulliqi Bojaj tha se ky raport fokusohet në largimet nga puna dhe zvogëlimi i pagave të gazetarëve, ndikimin e Pakos Emergjente në sektorin e mediave dhe mirëqenien fizike e mendore të punëtorëve të mediave gjatë pandemisë COVID-19.

“Ky raport ka për qëllim të shpalosë gjendjen ekonomike apo impaktin të cilin e ka pasur pandemia COVID në gjendjen ekonomike të gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve. Me KFOS-in ka qenë bashkëpunimi i parë në fillim të pandemisë, kur kemi kërkuar ndihmë nga ata që të sigurojmë mjete mbrojtëse për anëtarët tanë, gjegjësisht gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët të cilët kanë qenë në vijën e parë të frontit duke u përballur me një të panjohur”, tha Mulliqi, raporton KP.

Hulumtuesja Lirikë Demiri tha se ky raport është zhvilluar nga qershori deri në fund të shtatorit dhe se në anketë kanë marrë pjesë 120 punonjës të mediave.

“Para pandemisë rreth 22 punonjës medialë janë deklaruar se paguhen nga 130 euro deri në 250 euro. Dhe në pjesën pas fillimit të pandemisë shohim që ky numër është rritur, nga 22 në 38. Ndërsa, në anën tjetër të gjithë punonjësit që kanë marrë paga më të larta se 250 euro, paga e tyre është zvogëluar pas fillimit të pandemisë. Nëse shohim punonjësit që para pandemisë kanë marrë deri në 350 euro kanë qenë 24, ndërsa pas fillimit të pandemisë kanë ra në 20. Këto të dhëna janë indikatorë që realisht ka pasur vështirësim të gjendjen financiare të punonjësve medialë gjatë pandemisë”, ka thënë Demiri.

Sipas Demirit, pandemia ka ndikuar në ndryshim të marrëdhënies së punës të punonjësve medial. Para pandemisë 113 punonjës janë deklaruar që kanë qenë të punësuar me orar të plotë, ky numër ka rënë për 10 pas pandemisë. Po ashtu, ka pasur të anketuar të cilët janë deklaruar se kanë humbur vendin e tyre të punës.

Ajo ka theksuar se 60 punonjës të mediave janë regjistruar gjatë kohës së pandemisë, e që para kësaj periudhe të njëjtit kishin punuar pa kontrata. /Insajderi.com