Shala: Në Prishtinë nga fillimi i vitit shkollor janë infektuar 40 mësimdhënës e 83 nxënës me COVID-19

Shala: Në Prishtinë nga fillimi i vitit shkollor janë infektuar 40 mësimdhënës e 83 nxënës me COVID-19

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, ka thënë se që nga fillimi i vitit shkollor në komunë janë infektuar 40 mësimdhënës me Covid 19, duke përfshirë këtu edhe drejtorët e shkollave e stafin teknik dhe 83 nxënës, tek sa ka treguar se në disa shkolla dhe klasë, ata kanë kaluar në skenarin “C”, që është mësimi online.

“Në bazë të statistikave që kemi siguruar në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik, janë 40 mësimdhënës, këtu përfshihen edhe drejtorët e shkollave e stafi teknik, që janë infektuar me COVID-19 dhe gjithashtu 83 nxënës, prej kohës kur ka filluar mësimi deri në ditën e sotme”, tha fillimisht Shala në Interaktiv, transmeton Insajderi.

“Është e vërtetë se në komunën e Prishtinës janë mbyllur katër shkolla për momentin për shkak të rasteve me Covid 19. Nxënës që janë të infektuar e klasa kalon me skenarin C. Nuk mund të themi se një shkollë komplet është në Skenarin A, pasi për shkak të rasteve individuale në klasë po shkon me mësim të kombinuar. Ka nxënës të infektuar dhe komplet klasa kalon në mësim online. Me skenarin A po punojnë gjitha shkollat e Prishtinës, me përjashtim të disa klasëve të cilat për shkak të një nxënësi që ka rezultuar pozitiv komplet klasa ka shkuar online. Kemi katër shkolla me skenarin C e një shkollë me të kombinuar.”, shtoi Shala

Gjatë ditës së djeshme, drejtori i shëndetësisë në komunën e Prishtinës, ka thënë se rritja e numrit të të infektuarve në këtë komunë, është si pasojë e hapjes së shkollave./Insajderi.com.