Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, pas mëngjesit të përbashkët me ambasadorin e Bullgarisë ,Angell Angellov, ambasadoren e Gjermanisë, Anke Hollshtajn deklaroi se ambasadori i BE-së në vend, David Geer, ka anuluar pjesëmarrjen për shkak të pandemisë, respektivisht pas kontakteve që ka pasur.
“Në ngjarjen e sotme duhej të fliste edhe ambasadori Geer, i cili për shkak të situatës me pandeminë dhe kontaktet është dashur të anulojë pjesëmarrjen në këtë mbledhje. Por më duhet të përmend rolin e Komisionit Evropian, sidomos pas miratimit të paketës së fundit ekonomike prej 9 miliard eurove, me çka në të vërtet është dhënë mundësia për jetësimin e idesë për një treg të përbashkët rajonal”, tha mes tjerash Osmani.
Ndryshe, Ministria e Punëve të jashtme e RVM -së sot ka organizuar mëngjes të përbashkët mes ambasadoreve të “3B6”, në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë në bashkë udhëheqjen me Procesin e Berlinit.Në pyetjen e gazetarëve rreth raporteve me Republikën e Bullgarisë Osmani u shpreh sot se grupet e punës janë duke punuar për të arritur deri tek një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët. Osmani më tej tha se do të gjendet guxim dhe vullnet që të arrihet deri tek gjuha e përbashkët.
“Do gjejmë guximin, do gjejmë vullnetin që të arrijmë deri tek një zgjidhje e pranueshme. Grupet bisedojnë për të gjitha çështjet për të cilat palët mendojnë se duhet të gjendet një zgjidhje e përbashkët. Shohim të ardhme të përbashkët në familjen evropiane. Grupet e punës bisedojnë për të gjitha çështjet. Jam optimist se do të arrijmë zgjidhje të pranueshme”, deklaroi Bujar Osmani. /Insajderi.com