Të kthehet Task-Forca, të shkarkohen Kuçi e Bajrami – kërkesat e PDK-së për Hotin

Partia Demokratike e Kosovës përmes deputetit, Abelard Tahiri, ka prezantuar shqetësimet, por edhe kërkesat në raport me kryeministrin Avdullah Hoti. PDK do anulim të disa vendimeve, ndalje të skandaleve dhe shkarkim të ministrave.

Të kthehet Task-Forca, të shkarkohen Kuçi e Bajrami – kërkesat e PDK-së për Hotin

Ta rikthejë Task-Forcën kundër korrupsionit, t’i shkarkojë ministrat, Hykmete Bajrami e Blerim Kuçi dhe t’i ndërpresë skandalet.

Këto kanë qenë kërkesat e Ablerd Tahirit të Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministrin, Avdullah Hoti, në mënyrë që “ta ndalë degradimin e mëtejmë të institucioneve publike në Republikën e Kosovës”.

Komentet Tahiri i bëri në një konferencë për media të thirrur nga PDK-ja, njofton Insajderi.

“Kërkojmë nga Kryeministri Hoti që të reflektojë mbi vendimin që ka marrë për shuarjen e Task-Forcës Anti Korrupsion dhe ta anulojë atë sa më parë”, tha Tahiri.

“Së dyti, Partia Demokratike e Kosovës, po ndjek me shqetësim të madh, mungesën e përgjegjësisë së anëtarëve të kësaj qeverie, lidhur me skandalet e fundit siç është rasti i dy milionëshit. Prandaj, gjithsesi se Ministrja (Hykmete) Bajrami ka përgjegjësi morale për këtë rast”.

Sipas Tahirit, “një akt i tillë kriminal brenda një institucioni me përgjegjësi kaq të madhe, duhet të shoqërohet me një akt moral, konkretisht me dorëheqjen e parevokueshme të Ministres”.

“Së treti, ne kemi parë edhe skandalin e pa precedent të aferës së tenderit të cilin e ka fituar kompania e Ministrit Kuçi”, vazhdoi Tahiri, duke shtuar se “përgjegjësia për këto skandale tashmë nuk është zgjidhje. Është detyrë”.

“Prandaj ne kërkojmë nga Kryeministri Hoti, që përmes shkarkimit të këtyre dy ministrave, si dhe tërheqjes së vendimit për shuarjen e Task Forcës Kundër Korrupsionit, ta shënojë aktin e parë të ndaljes së degradimit të mëtejmë të qeverisjes në vend”./Insajderi.com