85 nxënës dhe 45 mësimdhënës të infektuar në Prishtinë, mësimi ende vazhdon në shkolla

85 nxënës dhe 45 mësimdhënës të infektuar në Prishtinë, mësimi ende vazhdon në shkolla

Drejtoria e Arsimit në komunën e Prishtinës vlerëson se gjendja me pandeminë është e menaxhueshme, ndonëse që nga fillimi i vitit të ri shkollor, 85 nxënës janë infektuar me COVID-19, ndërsa edhe 45 mësimdhënës kane rezultuar pozitiv.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, bënë të ditur se aktualisht janë gjashtë shkolla që procesin mësimor janë duke e mbajtur online.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me IKShPK-në dhe në momentin që e kemi një nxënës të infektuar atëherë gjithë klasa po udhëzohet që të shkojë në mësimin online dhe kjo është ndoshta mënyra më e mirë dhe përhapja është më e ngadalshme për shkak të menaxhimit të përbashkët që jemi duke e bërë me IKShPK-në. Për momentin mund të themi që është duke shkuar mirë, por ne jemi dëshmitar të rritjes së rasteve brenda ditës, nëpër shkolla janë duke u respektuar protokollet. Ne si DKA jemi cdo ditë në terren dhe i shohim që protokollet brenda shkollës respektohen”, thotë ajo.

E para e arsimit në kryeqytet thotë se në vazhdimësi janë përkujdesur që t’i furnizojnë nxënësit dhe mësimdhënësit që nuk kanë pasur pajisje teknologjike për mbajtjen e mësimit online.

“Për nxënësit ne gjatë muajit prill dhe maj kemi pas marrë një aksion për pajisjen e nxënësve të cilëve iu mungojnë pajisjet teknologjike, diku afër 500 pajisje janë shpërndarë nëpër nxënës. Mirëpo, edhe në baza ditore kur ne marrim kërkesa nga institucionet edukativo arsimore atëherë jemi në kontakt me donatorët dhe i furnizojmë. Për mësimdhënësit nuk kemi buxhet që t’iu sigurojmë pajisje teknologjike, mirëpo secila shkollë ka pajisje brenda shkollës të cilat nëse kalojnë në mësimin online janë të obliguar t’i japin në rast se ka nevojë”, thotë ajo. /Insajderi.com