​Nis seanca në Kuvend: Deputetët pritet të debatojnë për problemet e banorëve shqiptarë në Veri

​Nis seanca në Kuvend: Deputetët pritet të debatojnë për problemet e banorëve shqiptarë në Veri

Ka nisur vazhdimi i seancës të së enjtes në Kuvendin e Kosovës, ku deputetët pritet të zhvillojnë tri debate parlamentare dhe të shqyrtojnë disa projektligje, njofton Insajderi.

Të zgjedhurit e popullit do të diskutojnë lidhur me problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës dhe komunave të tjera në pjesën veriore, sa i përket pengesave që u bëhen për tu kthyer në pronat e tyre dhe pengesat për renovimin e shtëpive të djegura gjatë luftës.

Ndërkaq, debati tjetër pritet të jetë në lidhje me personat e zhdukur, si dhe debati për sensibilizimin dhe masat që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse në luftën kundër kancerit të gjirit.

Krahas kësaj deputetët do të shqyrtojnë në parim Projektligjin për të drejtat pronësore të shtetaseve të huaj.

Nga ana tjetër, pritet të shqyrtojnë Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2020-2024. E po ashtu, do të shqyrtojnë raportin vjetor të Auditimit për vitin 2019. /Insajderi.com