Selimi: Fatin e shqiptarëve në komunat veriore Qeveria e ka lënë në duart e Listës Serbe

Selimi: Fatin e shqiptarëve në komunat veriore Qeveria e ka lënë në duart e Listës Serbe

Drejtuesi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka kritikuar Qeverinë Hoti për shpërfillje të interesave të shqiptarëve në komunat veriore të Kosovës, njofton Insajderi.

Selimi në seancën parlamentare ku po debatohet për problemet e banorëve shqiptarë në komunat e Veriut tha se fatin e tyre ekzekutivit ia ka lënë në duar Listës Serbe për të treguar çka kanë bërë për shqiptarët atje.

“Fatin e shqiptarëve në komunat veriore ia keni lanë në duar të Listës Serbe dhe na tregon se çka ka bërë për shqiptarët atje. Qe ku i keni lënë shqiptarët, në veri të Kosovës po vazhdon ende dhuna dhe përndjekja e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre. Ata që u përzunë nuk lejohen të kthehen në pronat e tyre. Atje në mënyrë sistematike po vazhdon projekti i ndryshimit demokrafik me anë të spastrimit etnik të shqiptarëve dhe me anë të kolonizimit me kolonë të ardhur nga Serbia. Serbia gjithmonë ka qenë e njëjtë për Kosovën, e ka rritur territorin e vet me toka tona. Kështu po mundohet të bëj edhe tash”, tha ai.

Derisa mori fjalën në foltoren e Kuvendit, Selimi tha Serbia përmes ndërtimit në Luginën e Diellit po tenton të ndryshojë demografinë.

“Sot kur ndërtohen lagje kolonësh në luginën e diellit, e gjetiu sikur dikur ndërtonte Milliosheviqi në Junik, sot kur po ndërtohet ndërtesa e banesat e kolektiv për të ndryshuar demografinë, sot kur asnjë shtëpi e djegur e shqiptarëve nuk mund t’i vihet kulmi, kësaj nuk kemi si të themi ndryshe përveç spastrim etnik… gjithë situata e krijuar me dëbimin e dhunshëm dhe kuadër të njëjtin qëllim me formimin e ‘Zajednicës’ kanë për qëllim spastrimin etnik kandër shqiptarëve nga vendbanimet e tyre dhe kolonializmin e tyre me kolonë të ardhur nga përtej Kosovës”, u shpreh ai. /Insajderi.com