Fetahu akuzon Rudarin se ka keqpërdorur buxhetin e komunës së Podujevës, kërkon nga Prokuroria të nisin hetimet

Fetahu akuzon Rudarin se ka keqpërdorur buxhetin e komunës së Podujevës, kërkon nga Prokuroria të nisin hetimet

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Podujevë, Naim Fetahu, njëkohësisht edhe kandidat për kryetar të kësaj komune, ka akuzuar ushtruesin e detyrës së kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, për keqpërdorime të buxhetit në këtë komunë, njofton Insajderi.

Në një konferencë për media të mbajtur nga PDK, Fetahu ka përmendur disa “skandale dhe shkelje” që ushtruesi i detyrës së kryetarit në këtë komunë, Nexhmi Rudari, i ka bërë.

Me këtë rast, Fetahu ka ftuar prokurorinë e shtetit që të urgjentisht të hetojë këto skandale që po ndodhin këtu.

“Komuna e Podujevës për riparimin e rrugëve të asfaltuara kishte lidhur kontratë kornizë më 28.06.2018 me afat deri më 28.10.2019. Edhe pse kjo kontratë kishte skaduar komuna kishte vazhduar me porositje të shërbimeve duke tejkaluar dy pozicione në vlerë 4,477€.”, ka thënë Fetahu, duke përmendur tutje edhe disa shkelje të tjera.

“Me të gjitha këto shkelje, të cilat i ka vërtetuar edhe Raporti i Auditorit, Nexhmi Rudari vetëm ka vazhduar një qeverisje të keqe 20 vjecare të LDK-së. Për më tepër, ai dëshmuar se nuk është i gatshëm dhe as i kualifikuar për të udhëhequr me komunën.”, ka thënë Fetahu.

“Ftoj urgjentisht edhe prokurorinë e shtetit që të nisë hetimet në lidhje me abuzimet e buxhetit që janë bërë në komunën tonë, përfshirë gjatë periudhës së rëndë me pandeminë.”, ka përfunduar ai.

Asambleisti i PDK-së në komunën e Podujevës, Rafet Llapashtica, ka përmendur disa prej shkeljeve më të mëdha që ka bërë komuna e Podujevës.

“Një palë doreza të thjeshta, komuna i ka blerë me 14 euro. Ndërsa, një palë rroba njëpërdorimëshe me 28 euro. Poashtu, autoambulancën që komunat tjera e kanë paguar me 33 mijë euro, komuna e Podujevës e ka blerë me 60 mijë euro, dyfishin e çmimit”, ka thënë Llapashtica. /Insajderi.com