Reçica thotë se punëtorët e viteve të ’90-ta po diskriminohen – ndryshimi i ligjit i pamundur

Reçica thotë se punëtorët e viteve të ’90-ta po diskriminohen – ndryshimi i ligjit i pamundur

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, deklaroi se punëtorët e viteve të ’90-ta po diskriminohen me ligjet e Kosovës, pasi që të njëjtve nuk po iu njihet stazhi i punës. Por, ndryshimi i ligjit që kërkon 15 vite përvojë të punës thotë se është i pamundur në këtë kohë për shkak të implikimeve financiare, transmeton Insajderi.

Këto komente Reçica i bëri në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike ku është bërë shqyrtimi i kërkesave të Sindikatës së nëpunësve shtetëror të Kosovës të viteve të ‘90-ta dhe i Sindikatës së ish-policëve të viteve të ‘90-ta.

“Ata të cilët janë larguar me dhunë nga puna në vitet ‘90-‘99 nga regjimi i asaj kohe dhe në vend që të shpërblehen për atë sakrificë të tyre duke mos e pranuar regjimin e asaj kohe ata sot ndëshkohen me ligjet e Republikës së Kosovës dhe të tjerët të cilët në atë kohë i kanë pranuar ato masa marrin pensione të dinjitetshme. Unë kam filluar procedurën e plotësim-ndryshimit të ligjit, ku kam paraparë që neni i cili precizon qartë që pensionistët duhet të kenë 15 vite përvojë pune të hiqet dhe propozimi tjetër është që të gjithë atyre që u larguan dhunshëm nga puna në vitet ‘90-‘99 t’iu njihet stazhi për atë periudhën sa ka qenë largimi i tyre… Edhe kjo çështje është duke ngecur, jo nga vullneti, jo nga puna, por me të panjohurat me pandeminë. Kjo ka kosto, vetëm kjo dispozitë nëse ndërrohet në bazë të statistikave dhe hulumtimeve që ne kemi ,e ka një kosto që për buxhetin aktualisht është e papërballueshme”, tha ai. /Insajderi.com