32 zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës marrin paga pa shkuar në punë

32 zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës marrin paga pa shkuar në punë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka deklaruar se Ministria e Infrastrukturës kishte angazhuar 32 punonjës në njësitë e saj nëpër komuna, për të cilër nuk ka asnjë dëshmi që konfirmon vajtje-ardhjen e tyre në punë, transmeton Insajderi.

Kështu është shprehur ai gjatë shqyrtimit të raportit të auditorit ku raportoi ministri Infrastrukturës, Arban Abrashi në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

“Këto janë disa të gjetura të cilat janë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe janë vërtet shqetësuese, që është njëra ndër ministritë me të gjetura më së shumti dhe më serioze. Njëra nga pyetjet për juve është për shkak që e di që ish-ministri nuk është në burg, është deputet në Kuvend, por dua t’ju pyes a ka shkuar ende në burg a jo për shkak shkeljeve të tilla ligjore dhe dëmtimit kaq të madh të buxhetit. Pyetje tjetër është së çfarë hapa keni ndërmarrë për ndalimin e pagesës ose financimin të strukturave paralele që bëhet nga kjo ministri qysh nga viti 2016 dhe apo vazhdon t’i financoni ende këto struktura paralele”, pyeti Rrahmani.

Gjatë raportimit, ministri Abrashi theksoi se është e padrejtë të marrin përgjegjësit e qeverisjes së kaluar, derisa shtoi se kanë për obligim të zbatojnë rekomandimet e dala nga auditori, që sipas tij shumica e këtyre rekomandimeve janë zbatuar.

Ministri tha se sivjet nuk po ndajmë paga për punonjësit e strukturave paralele të komunitetit serb.

“Për vitin e kaluar me të drejtë auditori ka kritikuar për mos vijueshmërinë e tyre në punë, por ne e kemi adresuar atë. Tash nuk flasim për struktura paralele, por për zyrtarë publikë të cilëve ne po u ndajmë detyra në kuadër të mundësive dhe kërkesave që i kemi ne si ministri. Sivjet është problem të trajtohet vijueshmëria në punë për shkak të pandemisë”, tha Abrashi. /Insajderi.com