Kuçi: Jemi në proces të arritjes së një marrëveshjeje me “Dardafon” për të zhbllokuar llogaritë e Telekomit

Kuçi: Jemi në proces të arritjes së një marrëveshjeje me “Dardafon” për të zhbllokuar llogaritë e Telekomit

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka deklaruar se llogaritë e Telekomit të Kosovës vazhdojnë të jenë të bllokuara nga kompania “Dardafon” si pasojë e borxhit ndaj saj, duke shtuar se janë në një proces të arritjes së një marrëveshjeje me këtë kompani për të bërë amortizimin e borxhit ndaj saj. Megjithatë, ai tha se nuk mund të gjejnë zgjidhje brenda afatit të vendosur nga Sindikata e Punëtorëve të Telekomit, transmeton Insajderi.

Këto komente ministri Kuçi i ka bërë në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike.

“Momentalisht (xhirollogaritë) janë të bllokuara prej kompanisë ‘Dardafon’ e cila ka fituar kontestin në raport me Telekomin, xhirollogaritë i kemi të bllokuara edhe pse kemi pasur një proces të zgjatur të mundësisë të arritjes së një marrëveshjeje edhe ende jemi në një proces bashkë me ‘Dardafon’. Jemi duke shikuar marrëveshjen për të bërë një plan të amortizimit të këtij borxhi”.

“Jam i bindur që nuk mundemi brenda dy dite, ashtu çfarë ka thënë sindikata, por jemi në bisedime për të gjetur mënyrën. Ne jemi në proces të një marrëveshjeje të gjetjes së një zgjidhje, jemi duke shikuar me Ministrinë e Financave dhe me mekanizmat e tjerë që me gjet zgjidhje afatgjate”, tha ai. /Insajderi.com