Visar Hoti i LDK-së akuzon Shpejtim Bulliqin e VV-së për sulm verbal

Visar Hoti i LDK-së akuzon Shpejtim Bulliqin e VV-së për sulm verbal

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Hoti, e ka akuzuar kolegun e tij nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqin për sulm verbal sot në hyrje të Kuvendit, duke i thënë se nuk guxon asnjëherë t’ia përmend emrin e tij, njofton Insajderi.

Visar Hoti ka thënë se Shpejtim Bulliqit i ka penguar fjalimi i tij i mbrëmshëm rreth raportit të auditimit për Komunën e Podujevës.

“Ju njoftoj se sot derisa po hyrja në Kuvendin e Kosovës nga hyrja e deputetëve, jam përballur nga një sulm verbal nga deputeti Shpejtim Bulliqi i VV-së… Derisa po kaloja procedurat e sigurisë, jemi takuar me Bulliqin, i cili pasi e kam përshëndetur me mirësjellje sikurse edhe të tjerët, më është kthyer me kërcënim verbal që të mos ia përmend emrin asnjëherë në Kuvend duke e përsëritur atë disa herë. Kjo kërkesë është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, sepse është sjellje jo parlamentare… Deputeti Bulliqi nuk e di çka po e pengon kur ia përmendi emrin, nëse dëshiron të më izolojë nga puna ime për Podujevën, do të gabohet rëndë… Deputetit Bulliqi i kishte penguar fjalimi im për raportin e auditimin për Podujevën, i cili demantonte pohimet e Bulliqit se ky raport ishte i keq sa i përket performancës së kësaj komune”, tha Hoti.

Ai tha gjithashtu se e gjithë kjo çështje të përfundojë me një kërkim-falje nga ana e deputetit Bulliqi dhe që atij t’i shqiptohet masa e sjelljes jo parlamentare.

E shefi i GP të LVV Rexhep Selimi ka marrë fjalën në mungesë të Bulliqit që nuk ndodhej në sallë për shkak të aktiviteteve në Komunën e Podujevës, ka kërkuar që debati parlamentar të mos shndërrohet në temë të zgjedhjeve elektorale, derisa shtoi se deputeti Bulliqi nuk ka pasur asnjë qëllim kundër kolegut të tij nga radhët e LDK-së./Insajderi.com