Albin Kurti tregon për gjendjen e tij shëndetësore

Albin Kurti tregon për gjendjen e tij shëndetësore

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, parmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se është drejt shërimit nga COVD-19.

“Pasditja e parë pa simptoma. Do ta vazhdoj vetizolimin edhe disa ditë, sipas rekomandimeve të ekspertëve të shëndetit publik. Ju faleminderit të gjithëve që më keni thirrur ose shkruar, që keni pyetur ose jeni brengosur për mua. U jam mirënjohës për kujdesin e mbështetjen dhe u kërkoj falje për pamundësinë që t’u përgjigjem të gjithëve veçmas”.

Ai tutje ka thënë se disiplina ishte vendimtare.

“Analizat e gjakut më dolën normale. Duket që u nxora nga COVID-19 pa pneumoni. Disiplina është vendimtare. Kam marrë rregullisht ilaçet, kam respektuar udhëzimet dhe këshillat e mjekëve. Kam ajrosur banesën dy herë në ditë nga 10 minuta duke hapur dritaret gjithandej. Kam pirë lëngje e kam marrë vitamina. Çdo tre orë kam matur temperaturën dhe saturimin si dhe kam praktikuar frymëmarrjen e thellë. Nuk kam më kokëdhembje, kollitje dhe as therje në muskuj”, ka thënë Kurti.

Tutje ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat, derisa ka falënderuar edhe mjekët.

“Nëse nuk e keni kaluar COVID-in, keni kujdes, sepse nuk është sikur gripi i zakonshëm. Të gjithë juve qytetarë që jeni të sëmurë nga virusi e ndjeheni të pasigurt, apo juve punëtorë shëndetësor që jeni të dërrmuar nga trajtimi i të sëmurëve, u jam mirënjohës sa s’thuhet për qëndresën, angazhimin e kontributin dhe ju inkurajoj të mos dorëzohemi tash. Nuk e kemi ende vaksinën, por e kemi përvojën që na shërben dhe vullnetin me të cilin shërbejmë. Ju përshëndes përzemërsisht, e, mirupafshim së shpejti”./Insajderi.com