Hasani: Jakup Krasniqi akuzohet për vepra që ende nuk janë specifikuar

Hasani: Jakup Krasniqi akuzohet për vepra që ende nuk janë specifikuar

Veprat për të cilat dyshohet ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ende nuk janë të specifikuara, ndërsa urdhër-arresti i është dorëzuar sot kur edhe u zhvillua aksioni i bastisjes së shtëpisë së tij nga njësitet e EULEX-it, transmeton Insajderi.

Kështu ka deklaruar avokati i Krasniqit, Valon Hasani, në një konferencë për media, sipas të cilit tashmë është bërë nisja e tij për në Hagë, por që i njëjti dyshohet për veprat të cilat nuk janë specifikuar.

“Prokuroria e Specializuar ka pasur një aksion dhe në bazë të urdhrit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara është bërë arrestimi i Jakup Krasniqit. Tani sapo është nisur për në Hagë. E konfirmuan aktakuzën kundër tij. Pritet që shumë shpejt të caktohet data e seancës… Procedura prej mëngjesit ka zgjatur për shkak se ka qenë operacioni i bastisjes në shtëpinë e Krasniqit. Dyshohet për vepra të cilat nuk janë të specifikuara, janë në kuadrin e veprave të cilat janë në juridiksionin e Dhomave të Specializuara”, tha Hasani.

Në emër të familjes, Dardan Krasniqi tha se nuk e dinë se çfarë është marrë nga shtëpia gjatë bastisjes, ndërkohë që një aksion i tillë është kryer edhe në shtëpinë tjetër të tyre në Negroc. /Insajderi.com

“Është bastisur edhe shtëpia në vendlindje në Negroc, kaq dimë për momentin asgjë më shumë”, ka njoftuar ai. /Insajderi.com