Ahmeti reagon pas aktakuzave për Thaçin e Veselin

Ahmeti reagon pas aktakuzave për Thaçin e Veselin

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar në lidhje me konfirmimin aktakuzave për dy krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

Ahmeti i cili vet ka qenë i përfshirë në UÇK tha se “Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë e kombit shqiptar për liri dhe vetëvendosje, por edhe për drejtësi dhe sundim të së drejtës, shoqëri demokratike dhe kohezive, të orientuar drejt vlerave euro-amerikane”.

Ai po ashtu theksoi se është i bindur se Thaçi, Veseli e pjesëtarët e tjerë të UÇK-së do ta dëshmojnë luftën siç e quajti ‘të drejtë’.

“Jam i bindur që shokët e mi, bashkëluftëtarët e mi, do ta dëshmojnë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do të kthehen ngadhnjimtarë duke respektuar plotësisht sundimin e ligjit dhe drejtësinë vendore e ndërkombëtare. Unë e di se si unë, ashtu edhe shokët e mi, po ta kishim edhe një jetë, edhe një mundësi, edhe një kushtrim për të luftuar për liri dhe barazi, ne do ta bënim përsëri sepse besuam dhe besojmë në të drejtën e kombit tonë. Të gjitha të arriturat tona në këto dekada i kemi realizuar bashkërisht me miqtë tanë ndërkombëtar dhe bashkërisht, duke respektuar vlerat e përqafuara nga të gjithë ne, edhe do ta përfundojmë rrugëtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë, drejtësisë dhe integrimit. Sundimi i ligjit dhe drejtësia e mirëfilltë joselektive janë synime të të gjithë neve andaj dhe përgëzoj krerët e Kosovës që iu përgjigjën thirrjes së drejtësisë në mënyrën më dinjitoze dhe ju uroj kthim sa më të shpejtë në detyrat e tyre që i presin”, thuhet në reagimin e Ahmetit.  /Insajderi.com