Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka thënë se nga kjo organizatë është marrë vendim që të mbahet protest pas zhvillimeve të sotme dhe atyre të ditëve të kaluara, njofton Insajderi.
Kështu u shpreh ai në konferencën e mbajtur sot pas takimit të kryesisë së OVL-UÇK’së, i cili tha se për kohën dhe vendin ende nuk është vendosur asgjë.
Ai tutje njoftoi se kjo protest do të mbahet duke u zbatuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe se do të jetë paqësore.
“Si kryesi e OVL-UÇK-së kemi mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, për të diskutuar edhe situatën e sotme por edhe të ditëve të kaluara. Kemi vendosur të organizohet protestë, nesër e kemi edhe mbledhjen e këshillit drejtues me të cilët do ta diskutojmë edhe çështjen e protestës por edhe çështje të tjera. Për ditën dhe orën e kësaj proteste kryesia ende nuk ka vendosur asgjë. Protesta do të jetë paqësore”, ka thënë Klinaku. /Insajderi.com