Masa të reja parandaluese ndaj virusin Corona, të cilat janë paralajmëruar ditë më parë, pritet të hyjnë në fuqi nga sot në tërë territorin e Kosovës, njofton Insajderi.
Komiteti për Vlerësimin dhe Koordinimin e situatës rreth COVID-19, ka propozuar disa veprime për të parandaluar rritjen e mëtutjeshme të numrit të rasteve pozitive me Coronavirus.
Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Online Insajderi, tregohen një varg masash të cilat përfshijnë mbylljen e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafenetë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, prej orës 20:00, nga data: 06/11/2020 (e premte) deri më datë 09/11/2020 (e hënë) në orën 05:00, përveç:
Furrave të bukës, barnatoreve, marketeve të vogla, pompave të derivateve.
Masat për të cilat pritet të merret vendim:
Ndalohet veprimtaria e te gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermerketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafenetë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës prej orës 20:00 datë: 06/11/2020 (e premte) deri më datë: 09/11/2020 (e hënë) në orën 05:00, përveç:
1.1 Furrave të bukës, barnatoreve, marketeve të vogla, pompave të derivateve.
1.2 Institucioneve shëndetësore publike dhe private për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale.
1.3 Për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhimin e COVID-19 të (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë – shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore).
1.4 Operatorët ekonomikë dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit.
Pezullohen paragrafët 7, 8, 11, 12, 13, 14, 20 e vendimit të Qeverisë 01/39 të datës 01.11.2020 deri në kohën e përcaktuar sipas dispozitivit 1 të këtij vendimi.
Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njofton se në 24 orët e fundit, janë regjistruar 661 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Rastet e reja – që përbëjnë shifrën më të lartë të infektimeve brenda një dite në Kosovë që prej fillimit të pandemisë – dalin pas testimit të 1.617 mostrave.
Ndërsa, dje IKSHPK-ja ka njoftuar se edhe gjashtë pacientë me koronavirus kanë vdekur.
“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjakovë 3, Ferizaj 1, Gjilan 1 dhe Malishevë 1 të cilat i përkasin grup-moshës 50-59 vjeç 1 rast, 60-69 vjeç 2 raste, 70-79 vjeç 1 rast me mbi moshën 80 vjeçare janë 2 raste”, u tha në njoftimin e IKSHPK-së.
Sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 në Kosovë ka arritur në 22.206. Prej tyre, 720 pacientë kanë vdekur dhe 15.921 janë shëruar.
Ndërkaq, raste aktive janë 5.565. /Insajderi.com