IKSHPK: Rritja e rasteve me COVID-19, pasojë e neglizhimit të masave nga qytetarët

IKSHPK: Rritja e rasteve me COVID-19, pasojë e neglizhimit të masave nga qytetarët

Edhe pak ditë mbushen tetë muaj që nga rasti i parë i konfirmuar me sëmundjen infektuese Coronavirus në Kosovë, njofton Insajderi.

Që nga ajo e kohë e deri më tash, vendi ynë ka shënuar vazhdimisht rritje të rasteve të reja me këtë sëmundje të rrezikshme që tashmë ka prekur pothuajse çdo pjesë të globit.

Vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar 730 raste të reja me COVID-19, rekord ky i ri në nivel ditor, dhe e gjithë kjo sipas IKSHPK-së vjen si pasojë e pakujdesisë dhe neglizhimit të qytetarëve ndaj respektimit të masave të vendosura antiCOVID-19 nga Qeveria e Kosovës.

IKSHPK kërkon nga qytetarët të kenë kujdes në mbajtjen e maskave, distancës sociale dhe higjienën personale, derisa ngrit shqetësimin se fluksi i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë është një sjellje e rrezikshme që çon drejt përhapjes së mëtejshme të infeksionit.

“Përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent, mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqesë rrezik për jetën e qytetarëve. Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve.

Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin antiCOVID-19, Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, dhe të marrin masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar”, thuhet në një postim në Facebook./Insajderi.com