Nis fushata për përkujtimin e viktimave të trafikut rrugor, kërkohet kujdes i shtuar në komunikacion

Nis fushata për përkujtimin e viktimave të trafikut rrugor, kërkohet kujdes i shtuar në komunikacion

Ministria e Infrastrukturës bashkë me Policinë e Kosovës, Kolegjin “Tempulli” dhe Asociacionin Kosovar të Motorizimit “AMRKS”, kanë nisur fushatën njëjavore për shënimin e “Ditës Botërore për përkujtimin e viktimave në trafikun rrugor”, transmeton Insajderi.

Në shënimin e kësaj dite, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, tha se ky aktivitet ka karakter ndërkombëtar dhe realizohet në shumë vende të botës, duke besuar se me iniciativa të tilla do të ndikojnë më shumë në ngritjen e sigurisë në rrugë dhe në vetëdijesimin e qytetarëve.

“Ne po fillojmë fushatën një javore që ka të bëjë me ditën e përkujtimit të viktimave të trafikut rrugor, por edhe të parandalojmë aksidentet. Jemi duke punuar në shumë aspekte për ta ngritur sigurinë në komunikacion bashkë me shumë institucione tjera, duke i dhënë rëndësi shpëtimit të jetëve. Apeloj te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të jenë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm që të mos bëhen pjesë e statistikave të vdekjeve e lëndimeve”, tha Abrashi.

Ndërsa, Jeton Rexhepi, Drejtor i Divizionit të Komunikacionit Rrugor në Policinë e Kosovës bëri të ditur se ka rënie të të vdekurve nga aksidentet në komunikacion.

“Mund të themi se ky vit karakterizohet me rënie të aksidenteve dhe rënie të numrit të aksidenteve që kanë humbur jetën”, tha Rexhepi. /Insajderi.com