Përfaqësuesi i Prokurorisë në Gjykatën Speciale: Thaçi ditën e fundit fare fali dy persona që ishin dënuar për vrasjen e një bashkëpunëtori të pretenduar

Përfaqësuesi i Prokurorisë në Gjykatën Speciale: Thaçi ditën e fundit fare fali dy persona që ishin dënuar për vrasjen e një bashkëpunëtori të pretenduar

Përfaqësuesi i Prokurorisë në seancën e parë të Hashim Thaçit para gjykatësit në Dhomat e Specializuara, ia ka përmendur Thaçit faljen e dy personave, të cilët, ishin dënuar për vrasjen e një “bashkëpunëtori të pretenduar”.

Falja e Thaçit për këta dy persona ka ardhur vetëm një ditë para se ai të jepte dorëheqje e të nisej për në Hagë.

Thaçi, një ditë para se ta linte postin, kishte nënshkruar një dekret për falje të dënimit ndaj pesë të burgosurve. Mes tyre, edhe Shpresim Ukën dhe Bekim Sylën, të dy të akuzuar për rastin “Bllaca”.

Uka ishte dënuar me 15 vjet burgim në vitin 2012 për vrasje të rëndë të Ibush Kllokoqit dhe tentim-vrasje të rëndë të Adem Salihaj, ndërsa u arrestua në vitin 2015 pasi ishte në arrati.

Ndërsa, Bekim Syla ishte dënuar me 12 vjet burgim gjithashtu për vrasjen e Ibush Kllokoqit. Por vetëm në vitin 2017 ka arritur të bie në prangat e Policisë së Kosovës.

Thaçi  me dekret Sylës ia ka falur tri vjet e gjashtë, ndërsa Ukës katër vjet të tjera.

Ky veprim i ish-presidentit është përmendur më pas nga përfaqësuesi i prokurorisë.

“Zoti Thaçi ditën e fundit fare, pra përpara se të fillonte procesi i arrestimit, u informuam, për faljen e dy personave të cilët ishin dënuar për vrasjen e një bashkëpunëtori të pretenduar që nga viti 2001 që ishin dënuar në vitin 2012 dhe pastaj ishin larguar në drejtim të paditur për një periudhë kohore. Këto janë çështje që do të trajtohen në detaje dhe ashtu siç duhet në procesin gjyqësor”, ka thënë ai.

Më vonë për këtë shkurtazi është përgjigjur avokati i Thaçit. Ka thënë se “kjo i takon historisë”.

Uka e Syla, bashkë me Sadik Abazin, Fahredin Gashin dhe Nazim Bllacën ishin dënuar për vrasjen e Ibush Kllokoqit.

Mirëpo, ky nuk është rasti i vetëm në të cilin ishte akuzuar Shpresim Uka.

Uka është pjesë edhe e aktakuzës të ngritur nga prokurori italian Danillo Ceccarelli për rastin “TOKA”, ku bashkë me Azem Sylën akuzohet për krim të organizuar.

Madje në aktkuzën e ngritur nga EULEX thuhet se pronat e grupit të Azem Sylës u përdorën për t`i shpërblyer dëshmitarët e të akuzuarve në rastin ‘Bllaca 2’.

Në këtë aktakuzë thuhet se punonjësi i Postës së Kosovës, Sami Maqedonci, përfitoi një pronë me vlerë prej 100 mijë euro në kompensim të një deklarate në favor të Shpresim Ukës në rastin ‘Bllaca 2’./Insajderi.com