Minatorët e minierës së “Trepçës” në Stantërg kanë hyrë në grevë për shkak të mos-marrjes së pagave për muajin që lamë pas, transmeton Insajderi.
Disa prej ketyre minatorëve po qëndrojnë në hapësirat e restaurantit, ndërsa te tjerët në oborrin e kësaj ndërmarrjeje, duke ndërprerë kështu punën.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të kësaj miniere, Gani Osmani, ka konfirmuar për KP se minatorët janë në grevë, duke bërë të ditur se arsyeja e vetme për ndërprerjen e punës janë pagat.
Sipas tij, që nga dita e djeshme ndërrimi i dytë dhe i tretë nuk kanë punuar dhe atyre u është bashkangjitur sot edhe ndërrimi i parë, ndërsa tha se kjo gjendje do të vazhdojë derisa të mos zgjidhet ky problem.
“E vetmja arsye pse jemi në grevë janë pagat e muajit tetor. Kemi biseduar me menaxherin i cili na ka thënë se për momentin nuk ka mjete. Nuk dimë kur do t’i marrim pagat, por deri atëherë ne nuk do të punojmë”, ka thënë Osmani. /Insajderi.com