Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës vendi nuk duhet të izolohet për herë të dytë, shkak i pandemisë COVID-19, njofton Insajderi.
Në një konferencë për media subjekti politik që është pjesë e Qeverisë Hoti, kërkoi që të shfrytëzohen të gjitha alternativat tjera para masave ekstreme. Që është mbyllja e plotë.
“Ne jemi kundër idesë që të kemi mbyllje totale të vendit dhe i bëjmë thirrje qeverisë të rishikojë masat për arsye se ne si Aleancë e përkrahim qëndrimin e përbashkët që e kemi marrë sot dhe deklarohemi që duhet të rishikohen këto masa që të kemi menaxhim më të përfilltë të situatës”, tha deputeti Arbër Tolaj.
Po ashtu AAK është shprehur e shqetësuar për infeksionet në rritje, por duke përjashtuar momentalisht idenë e izolimit.
“Si AAK e kuptojmë shqetësimin në rritjen e numrit të rasteve, pra një përshkallëzim të situatës mirëpo konsiderojmë që institucionet përgjegjëse janë duke dhënë rekomandimet e tyre dhe ne si pjesë e politikës duhet të shfrytëzojmë të gjitha alternativat para se të shkojmë tek një përfundim për mbyllje totale të vendit. I bëjmë thirrje Qeverisë të shqyrtojë situatën dhe të shfrytëzojë të gjitha alternativat e mundshme duke respektuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore para se të shkohet te vendimi për mbyllje totale”, ka deklaruar në konferencë deputetja Albena Reshitaj.
Kjo konferencë e AAK-së vjen para prezantimit të masave të reja anti-COVID të paralajmëruara nga kryeministri Hoti. /Insajderi.com