Kryediplomatja e quan Vuçiqin “këlysh të Rusisë”

Kryediplomatja e quan Vuçiqin “këlysh të Rusisë”

Kryediplomatja, Meliza Haradinaj, e ka quajtur “këlysh të Rusisë”, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ky reagim i ashpër i ministres së Jashtme vjen pas deklaratave të presidentit serb se “në rast se s’ka zgjidhje me Kosovën përmes dialogut mund të ketë konflikt”.

“Pas nxitjes së luftimeve në Nagorno-Karabakh me armë të prodhuara në Serbi, Serbia në krye me Vuçiqin – Ministrin e Propagandës së Millosheviqit – tani po kërcënon të gjitha shtetet fqinje të rreshtuara me NATOn se do të vazhdojë forcimin ushtarak për t’u përgatitur për luftëra të reja në Ballkan”, tha Haraidnaj.

Haradinaj theksoi se Vuçiq është kundër politikave të NATO-s dhe vlerave evropiane.

“Politika dhe qasja e Serbisë nën rolin e “këlyshit të Rusisë” është qartazi kundër vlerave evropiane, dhe kundër politikave të NATOs për stabilitet dhe siguri në Ballkan”.

“Të gjitha përpjekjet ruso-serbe për të minuar stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon janë të papranueshme për Kosovën, dhe do të dështojnë ashtu siç kapitulluan turpshëm në vitin 1999”, përfundoi Haradinaj. /Insajderi.com