Bahtiri-Ahmetit: Është më mirë të merret me komunën e tij, askush të mos përzihet në komunën time

Bahtiri-Ahmetit: Është më mirë të merret me komunën e tij, askush të mos përzihet në komunën time

Kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka thënë se komuna që e drejton do të mbetet në zonën e verdhë edhe për një javë, pas vizitës së ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, njofton Insajderi.

E për këtë deklaratë, nuk la pa reaguar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili me anë të një postimi në Facebook tha se vendimi që Mitrovica të mbetet në zonën e verdhë tregon se masat janë “çështje negociatash dhe bindjesh”.

Lidhur me këtë, Bahtiri në Edicionin Special në Klan Kosova, e ka këshilluar Ahmetin që të merret me punët e komunës së tij.

“Ai është mirë që të merret me komunën e tij, pasi mitrovicasit kanë kryetarin e tyre që kujdeset për ta. Kam respekt për secilin koleg timin, i cili është në çdo komunë dhe dihet që po bëjmë përpjekje maksimale, që të shpëtojmë jetën e qytetarëve. Nuk dua të shtyhem me asnjë kryetar, por nuk dua që askush të përzihet në komunën time. Kjo, për arsye se unë jam i obliguar që qytetarëve t’u dal në ndihmë, por edhe të kërkoj të drejtat e tyre”.

“Unë asnjëherë nuk jam përzier në çështjet e ndonjë kryetari të komunës, përveç në pjesën e Veriut, duke e ditur se aty janë të diskriminuar qytetarët”.

“Ai [Ahmeti], duhet të jetë shembull për komunat tjera dhe kryetarët tjerë, pasi është kryetar i kryeqytetit të Kosovës, e jo të tallet apo të lëndojë dikë në punën dhe përpjekjet maksimale të një kryetari që mundohet për qytetarët e vet. Kjo është e padrejtë”, u shpreh ai. /Insajderi.com