Majko: Armatosja e Serbisë nuk është për gjueti rosash

Majko: Armatosja e Serbisë nuk është për gjueti rosash

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko është shprehur për “Euronews Albania” se deklarata e presidentit serb Aleksandër Vuçiq nuk duhet parë si provokim, por është protokoll i vërtetë i marrëdhënies shqiptaro-serbe, një konflikt i ngrirë, njofton Insajderi.

“Mendoj që nuk duhet parë si provokim apo retorikë, por një fakt që politika serbe po prodhon për rajonin. Aktualisht nuk mendoj se jemi duke parë ndonjë surprizë, por vazhdimësinë e një lloj papërgjegjshmërie, e cila u deklarua më së fundmi. Është protokoll i vërtetë i marrëdhënies shqiptaro-serbe, një konflikt i ngrirë”, u shpreh ministri.

Ai theksoi më tej se Serbia është një nga shtet që po armatoset më shumë në rajon dhe se ky armatim nuk beson se është për gjueti rosash.

“Besoj që cilido e ka parë që Serbia është një nga shtetet që po armatoset në mënyrën më të vrullshme në krahasim me vendet e rajonit. Nuk besoj se ky armatim është për gjueti rosash. Është një politikë që i përgjigjet pikërisht kësaj që më fund u deklarua si protokoll i konfliktit të ngrirë. Mendoj që teknologjia serbe për të krijuar fqinj me status gjysmë shtetëror duke filluar nga Bosnja tek Kosova dhe tani mesa duket do të kapë edhe Malin e Zi”, tha ai.

“Duhet të jemi të sinqertë me veten dhe pastaj me BE-në. Mendoj që konflikti mes shqiptarëve dhe serbëve është një konflikt i ngrirë. Është një konflikt që menaxhohet nga Moska dhe Vuçiç është thjesht një nënprodukt i kësaj politike.

Mendoj që deklarimet e Moskës dhe ministrisë së Jashtme të Rusisë lidhur me shkuarjen në Hagë të drejtuesve të UÇK-së e vërteton shumë qartë këtë”, tha ai më tej.

Majko nënvizoi se në gjykatë o njëra o tjetra palë meriton të shkojë, të dyja është absurde./Insajderi.com