Gaxherri: Liderët politikë të merren vesh për një president të pranueshëm për të gjithë

Gaxherri: Liderët politikë të merren vesh për një president të pranueshëm për të gjithë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, ka deklaruar se zgjedhjet në kohë pandemie nuk janë zgjidhje, andaj sipas saj, liderët politikë duhet ta zgjedhin një president të pranueshëm për të gjithë, transmeton Insajderi.

Ajo ka kërkuar nga subjektet politike përgjegjësi që temat e tilla nacionale të ulën dhe t’i diskutojnë së bashku.

“Gjithmonë duhet të jetë, çdo subjekt politik i gatshëm për zgjedhje edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, por po e ritheksojë se duke e pasur parasysh situatën në të cilën jemi si Republikë e Kosovës, me temat me të cilat ballafaqohemi, që kushdo qoftë në cilin do subjekt politik që e merr përgjegjësinë për ta udhëhequr vendin ka nevojë për të gjitha subjektet politike sepse janë tema nacionale”.

“Unë mendoj se kësaj radhe ishte dashur të ketë pak më shumë përgjegjësi secili lider i partive politike që vërtetë të takohen dhe të diskutojnë sidomos temat nacionale e pastaj të vendosin të shkojnë deri në fund mandati në zgjedhje, por unë kam frikën se nëse pretendojmë të bëjmë zgjidhje të problemeve me zgjedhje ne vetëm do të riciklojmë problemin”, ka thënë ajo për EO.

Për Gaxherrin më e arsyeshme në këtë periudhë është gjetja e një personaliteti për president, të pranueshëm nga të gjitha paritë politike.

“Është koha që me tregu përgjegjësi liderët, me u ulë e me u marr vesh për një personalitet i cili është i pranueshëm për të gjitha partitë politike në Kosovë dhe me ecë tutje. Sepse kemi probleme të shumta tashmë me pandeminë në radhë të parë e cila shkakton përveç pasojave shëndetësore dhe vdekjeve fatkeqësisht kemi edhe pasoja të mëdha ekonomike dhe jo vetëm kjo kemi problem të madh edhe me Serbinë me dialogun dhe pastaj e kemi Gjykatën Speciale. Këto janë tema të cilat asnjë subjekt politik vetëm nuk mundet me i zgjedh dhe unë s’po e shoh fare të arsyeshme këto kalkulimet ose ikjet nga përgjegjësia të asnjë subjekti e lideri politik”.

Deputetja e LDK-së ka mohuar të jetë diskutuar brenda kësaj partie për mundësinë e bashkëqeverisjes me PDK-në.

“Nuk është që e kemi diskutuar me organet e partisë këtë gjë për arsye se ne e dimë në çfarë situate gjendet Kosova, me çfarë temash po ballafaqohet dhe natyrisht se për një çështje të tillë duhet me u mbledhë Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së”. /Insajderi.com