Vjosa Osmani s’e ka ndërmend të largohet nga LDK-ja

Vjosa Osmani s’e ka ndërmend të largohet nga LDK-ja

Vjosa Osmani nuk do të largohet nga LDK-ja edhe pse vazhdon të ketë dallime përmbajtjesore rreth disa çështjeve me lidershipin e kësaj partie. Ajo do të qëndrojë pranë këtij subjekti politik.

Ajo nuk e ka menduar t’i bashkëngjitet subjektit të ri politik “Alternativa”, e themeluar nga Mimoza Kusari-Lila dhe Ilir Deda, por i sheh si mundësi të mirë bashkëpunimi.

Megjithatë, ajo ka edhe vlerësime për punën e Qeverisë.

“Koalicioni LDK-PDK, ashtu siç kam deklaruar ditën që është nënshkruar, ka dëmtuar LDK-në. Tani jam edhe më shumë e bindur për këtë. Sidoqoftë, janë disa sektorë të Qeverisë të cilat kanë treguar rezultate të mira përkundër faktit që kanë operuar brenda një sistemi të kapur nga interesa klanore dhe oligarkike”, ka thënë Osmani për “Zërin”.

Osmani nuk ka ndryshuar qëndrim rreth marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi. Ajo mendon se kundërshtimi i kësaj Marrëveshjeje duhet bërë në mënyrë ligjore e jo përmes ushtrimit të dhunës.

Sipas saj, dështimi i demarkacionit proceduralisht nuk e çon vendin automatikisht në zgjedhje, por zgjedhje të parakohshme mund të ketë në çdo kohë kur bëhen 61 deputetë që votojnë për ta rrëzuar Qeverinë.

“Në aspektin procedural dështimi i Demarkacionit nuk çon në zgjedhje automatikisht, mirëpo zgjedhje të parakohshme mund të ketë në çdo moment kur 61 deputetë votojnë për ta rrëzuar Qeverinë”, ka thënë Osmani.