Kundërshtohet procesi i 10 mijë materialeve potencialisht shfajësuese nga Prokuroria

Kundërshtohet procesi i 10 mijë materialeve potencialisht shfajësuese nga Prokuroria

Prokuroria Speciale ka njoftuar se do t’i dorëzojë mbrojtjes s ëish-krerëve të UÇK-së, 10 mijë materiale potencialisht shfajësuese për ata, njofton Insajderi.

Me të rinisur konferenca e sotme statusore, prokurorja ka thënë se provat do t’i nxjerrin deri më datë 31 maj 2021.

Mirëpo me këtë nuk u pajtuan avokatët e Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

David Hooper, mbrotja e Thaçit ishte i shkurtë në kundërpërgjigje.

“Në qoftë se thonë se mund të realizojnë nxjerrjen e materialeve deri në fund të majit pse nuk e bëjnë këtë”, ka thënë Hooper.

Ndërsa, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, tha se nuk është sjellje e përshtatshme e prokurorisë sepse në këtë mënyrë po ia pamundëson mbrojtjes të hetojë.

“Jam i zhgënjyer që të shohë Prokurorinë se dëshiron të përfitojë nga fakti që mbrojtja duhet të kryejë një hetim të hollësishëm në mënyrë që të përligjë zgjatjen e afatit për ndërtimin e materialve që e ka për detyrë t’i dorëzojë. Mbrojtja e merr si pikënisje të hetimeve të veta ditën kur prokuroria do të përfundojë me dorëzimin e materialeve. Nuk është një sjellje e përshtatshme e prokurorisë që të sugjerojë nxjerrjen e materialeve paraprakisht si një objektivë të padëshirueshme, sepse në këtë mënyrë ia ulë mundësinë mbrojtjes për të hetuar. Këtë po e propozon prokuroria, faktikisht, kur thotë po ua jap 31 majin e vitet të ardhshëm si afat për dorëzimin e këtyre materialeve, pastaj thonë se nëse mbrojtjes i duhet 18 muaj për të kryer hetimet e veta atëherë këtë datë do të kërkojmë që ta lëvizim për më vonë”, është shprehur Emmerson.

Ndërsa, mbrojtja e Rexhep Selimit, David Young, tha se nëse vazhdohet me këtë proces do të përkeqësohet puna.

“Prokurorisë i lejohet që të vonojë dorëzimin e materialeve dhe të mos i jep mbrojtjes mundësi që të ndalojë dhe analizojë çështjen. Ajo që do ta kisha propozuar është që të merrni parasysh procesin e Gilotinës, kur duhet t’i vihet pika procesit të nxjerrjes së materialeve. Nëse vazhdojmë ashtu sikur po shkojnë punët për momentin atëherë do ta kemi të vështirë më tej në proces”. /Insajderi.com