Çfarë ndodhi në Kuvend?

Çfarë ndodhi në Kuvend?

Në tempullin e demokracisë ku duhet të përplasen idetë u përplasen bërrylat e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputetja, Saranda Bogujevci, po mbante fjalim rreth të pagjeturve, interpelancë e thirrur nga ajo për kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin.

Por, nuk dëgjohej vetëm zëri i saj nga foltorja e Kuvendit, edhe të tjerë deputetë po flisnin me tonin e lartë.

Kryesuesja e seancës, Arbërie Nagavci, iu drejtua shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashit që të mos bërtiste.

Por, gjithçka eskaloi, deputetët u ngritën në këmbë në drejtim të njëri tjetrit. Seanca u ndërpre deri në ora 15:30.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i cili është parë në grumbullin ku ndodhi përballja fizike i tha Gazetës Online Insajderi.com se përfaqësuesit e LDK-së në Kuvend nuk e lejuan Bogujevcin ta mbante fjalimin.

“U tensionua situata kur deputetët e LDK-së nuk e lejonin Saranden ta mbante fjalimin, disa prej ne deputetëve ndërhymë për t’i qetësuar gjakrat”, tha ai.

Në përpjekje për t’i qetësuar këto gjakra u përfshi edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Gjatë gjithë seancës ka pasur përplasje verbale mes deputetëve – e tillë ishte ajo ndërmjet Mimoza-Kusarit-Lilës dhe Arben Gashit, dhe po këtij të fundit me Saranda Bogujevcit.

Krejt kjo ndodhi jashtë syve të kryesoreve të Kuvendit. Kryeparlamtares e kryeministrit.

Vjosa Osmani është në vetizolim për shkak të infektimit me COVID-19, ndërsa Avdullah Hoti nuk gjendej në Kuvend sepse ishte në bisedë virutale me presidentin e Francës, Emmanuel Macron. /Insajderi.com