Avokati i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Tomë Gashi, ka deklaruar se kanë informata se është ngritur aktakuza ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Ai këtë gjë e bëri të ditur për “Betimi për Drejtësi”, ku tha se kjo aktakuzë ka të bëjë me çështje të pengimit të drejtësisë dhe jo me çështje të krimeve të luftës apo krime që ndërlidhen me luftë.
“Muj me deklaru si avokati i OVL-UÇK që informata kemi që aktakuza ndaj zotit Gucati dhe Haradinaj është ngritur. Ka të bëjë me çështje të pengimit të drejtësisë dhe jo me çështje të krimeve të luftës apo krime që ndërlidhen me luftë”.
“Arrestimi i tyre ka qenë me 25 shtator të këtij viti, lidhur me publikimin e dokumenteve që në tre raste i kanë sjellë persona të panjohur, e ku vërtetohet bashkëpunimi i prokurorisë për krime të luftës të Serbisë dhe të organeve të tjera të ndjekjes të Serbisë me Gjykatën Speciale”, ka thënë Gashi. /Insajderi.com