Gërmimet për të gjetur kufomat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në varrezën masive që u zbulua rishtas në Kizhevak të Serbisë do të vazhdojnë javën e ardhshme, transmeton Insajderi.
Kështu ka bërë të ditur udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, i cili tha se autoritetet atje kanë filluar përgatitjet e nevojshme dhe se janë të ftuar që të jenë të pranishëm derisa bëhen gërmimet.
“Sot, përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, si udhëheqës i Grupit Punues për Persona të Zhdukur, kemi pranuar një shkresë të autoriteteve të Serbisë, Delegacionit të Serbisë në kuadër Grupit Punues për Persona të Zhdukur, përkitazi me procedimin e mëtutjeshëm të varrezës masive në Kizhevak të Serbisë, sipas së cilës autoritetet kanë filluar me përgatitjet logjistike të nevojshme, me qëllim që gërmimet të vazhdojnë nga java e ardhshme. Përmes të njëjtës shkresë jemi ftuar për të qenë të pranishëm gjatë gërmimeve, pra për të monitoruar procesin në fjalë”, ka thënë Gara për KK.
Por, për kohën e gërmimeve s’është pajtuar ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se Serbia ka kërkuar që të shtyhet zhvarrosja e trupave në Rashkë, sepse dëshiron të vazhdojë të fshehë krimin.
“Secili njeri racional në Kosovë, kurrë nuk duhet të lodhet së treguari të vërtetën e së ngrituri zërin për njerëzit që humbëm si rezultat i politikave gjenocidale të Serbisë. Ne nuk jemi lodhur e nuk do të lodhemi kurrë së dëgjuari familjet e viktimave, sepse ata e tregojnë të vërtetën e Kosovës. Mirëpo jemi lodhur nga politikanë të papërgjegjshëm, të cilët tregojnë mosdurim ndaj së vërtetës e ndaj familjeve të viktimave, ndërkaq tolerancë ndaj politikave mohuese të Serbisë!”, ka thënë ajo. /Insajderi.com