Gaxherrit i jepen sqarime rreth dyshimeve të saj për atentat

Gaxherrit i jepen sqarime rreth dyshimeve të saj për atentat

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, gjatë seancës së 2 marsit pati ngrehur një shqetësim para kolegëve të saj parlamentar kur pati thënë se dyshon se dikush kishte dashur të bëjë atentat në të dhe në disa deputetë që po udhëtonin për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Ky dyshim, asaj i ishte krijuar pasi dy gomat e veturës me të cilën po lëviznin kishin shpërthyer, ndonëse jo në të njëjtën kohë.

Ky deklarim publik i saj e ka shtyrë Zyrën e Sekretarit të Kuvendit të dalë me një sqarim të situatës.

“Për hir të sqarimit të opinionit publik dhe në funksion të shmangies së keqinterpretimeve lidhur me çështjen e ngritur nga deputetja Besa Gaxherri, në seancën e datës 2 mars 2017, përkitazi me çarjen e gomave të një automjeti zyrtar, Zyra e Sekretarit, pas marrjes së informacioneve shtesë, jep këtë sqarim:

Bashkëndiejmë shqetësimin me deputeten Besa Gaxherri dhe pasagjerët e tjerë dhe njëkohësisht shprehim keqardhjen tonë për rastin.

Vlerësojmë se para deklarimeve publike për raste të tilla, është e udhës që shqetësimet të adresohen në relacionet e brendshme institucionale, për të marrë edhe sqarimet përkatëse.

Konfirmojmë që në automjetin me targa 2Z 027 02, më datë 26. 02. 2017, gjatë lëvizjes në relacionin Durrës-Prishtinë, ka ndodhur çarja e dy gomave, në intervale të ndryshme kohore, ndërsa automjeti nuk ka pësuar asnjë dëm tjetër dhe me të ka vazhduar udhëtimi për në Prishtinë.

Automjeti ishte i pajisur me goma të tipit “Hankok”, nga data 23. 12. 2010, por të përdorura vetëm gjatë sezonit dimëror.

Të njëjtat goma, për sezonin dimëror 2016-2017 i janë vendosur automjetit më 14. 11. 2016. Në momentin e vendosjes, gomat kanë pasur të kaluar 12 780 km, ndërsa në kohën e çarjes, 16 826 km.

Bazuar në faktet e lartpërmendura, konstatojmë me përgjegjësi se deri te çarja e gomave ka ardhur vetëm për shkaqe objektive dhe të pamenaxhueshme.

Sqarimi ka të bëjë me heqjen e dilemave lidhur me kualifikimet dhe pretendimet që janë shfaqur në mënyrë të njëanshme në seancë”, thuhet në reagimin e Zyrës së Sekretarit të Kuvendit. /Insajderi.com