Deliu – Kodra: Elitat politike në Serbi po krijojnë mendësi të rrezikshme

Deliu – Kodra: Elitat politike në Serbi po krijojnë mendësi të rrezikshme

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë që elitat në Serbi janë duke krijuar një mendësi të rrezikshme tek popullata serbe, njofton Insajderi.

Sipas Deliut, kjo më së miri është vërejtur në hulumtimin që ka treguar se gjysma e serbëve duan luftë me Kosovën.

Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se çfarë mendësie prodhojnë elitat në Serbi dëshmon hulumtimi i fundit i opinionit publik që zbulon se gjysma e qytetarëve të saj dëshirojnë luftë me Kosovën dhe besojnë në shpërthimin e konflikteve të reja në rajon”.

Tutje Deliu ka folur edhe për mosreagimin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj krimeve dhe agresionet që i ka kryer Serbia në kohën e ish-Jugosllavisë.

“Ky rrezik eminent për rajonin do të vazhdojë përderisa nuk ekziston një vullnet i bashkësisë ndërkombëtare ta përballë Serbinë me krimet e veta gjatë agresionit mbi vendet fqinje në luftërat e ish-Jugosllavisë. Kurse për vendet që mohojnë shtetësinë e Kosovës, sidomos ato të Bashkimit Evropian, ky fakt duhet t’u shërbejë si kambanë që ta njohin sa më parë Kosovën”, ka shkruar më tutje ajo.

Sipas deputetes së PDK-së Kosova mbetet argumenti serb që definimet territoriale mbeten të hapura në rajon.

“Përndryshe, ky hezitim i tyre për ta njohur shtetin e Kosovës do të vazhdojë të ushqejë aspiratën serbe për luftëra territoriale me vendet fqinje. Kosova mbetet argumenti serb që definimet territoriale mbeten të hapura në rajon dhe, për fatin e keq, neutraliteti i BE-së ndaj shtetësisë së Kosovës është duke i kontribuar këtij qëllimi”./Insajderi.com