Mustafa e lë të hapur mundësinë për President, vetëm pas zgjedhjeve të reja

Mustafa e lë të hapur mundësinë për President, vetëm pas zgjedhjeve të reja

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, po e lë të hapur mundësinë për të marrë edhe pozitën më të lartë shtetërore, atë të presidentit, por vetëm pas zgjedhjeve të reja, transmeton Insajderi.

Siç paralajmëron Mustafa, ditët e ardhme do të ketë diskutime për emrin e mundshëm të Shefit të Shtetit, por nëse nuk merren vesh për këtë pozitë, mund të ketë marrëveshje për zgjedhje.

“Në këtë mandat, LDK e ka Kryeministrin e vendit. Nuk pretendojmë edhe pozitën e Presidentit. Nëse shkojmë në zgjedhje, çdo opsion mbetet i hapur”, ka thënë Mustafa për Telegrafin.

Lideri i partisë më të madhe në pozitë po thotë se zgjedhjet nuk duhet të mbahen, por nëse dështon pajtimi për një emër të presidentit atëherë zgjedhjet janë të pashmangshme.

“E vlerësojmë se zgjedhjet në këtë situatë pandemie nuk do duhej të mbahen. Por, në qoftë se nuk pajtohemi për Presidentin, do të pajtohemi për zgjedhje”, ka thënë tutje Mustafa. /Insajderi.com