Shefi i BE-së në Kosovë: Specialja i gjykon vetëm individët – të veprojë pa ndërhyrje nga jashtë

Shefi i BE-së në Kosovë: Specialja i gjykon vetëm individët – të veprojë pa ndërhyrje nga jashtë

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka deklaruar se funksionimi i Dhomave të Specializuara në Hagë është i nevojshëm për ta çuar Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane, transmeton Insajderi.

Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë ka thënë se Gjykata Speciale do t’i gjykojë vetëm individët dhe do ta lehtësojë drejtësinë tranzicionale të Kosovës, ndërsa bashkëpunimi i institucioneve të Kosovës me të, sipas tij tregon gatishmërinë për t’u përballur me të kaluarën.

“Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar nga Kuvendi i Kosovës si institucione të pavarura gjyqësore me juridiksion mbi krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimet e tjera sipas ligjit të Kosovës të kryera gjatë luftës. Është e rëndësishme të kihet gjithnjë parasysh se Dhomat e Specializuara nuk do t’i mbajnë në përgjegjësi grupet etnike, organizatat ose komunitetet, por vetëm individët. Duke vepruar kështu, Dhomat e Specializuara do ta lehtësojnë drejtësinë tranzicionale dhe do të mundësojnë përparimin shoqëror, duke e çuar Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane. Në këtë kontekst, bashkëpunimi nga autoritetet e Kosovës mbetet vendimtar për të demonstruar përkushtimin e Kosovës për sundimin e ligjit dhe gatishmërinë e saj për t’u përballur me të kaluarën e saj, ka thënë Szunyog për mediumin serb në Kosovë, ‘Kosovo Online’.

Ai tutje tha se e mbështesin Specialen dhe se ky tribunal duhet të veprojë pa ndërhyrje nga jashtë. /Insajderi.com