Miti para historisë

Osmani përkujton Kongresin e Manastirit – thotë se u unifikuan shqiptarët aty ku në të vërtetë unifikimi nuk ndodhi

Në vend se të tregojë historinë për të reflektuar, Osmani ka zgjedhur mitologjinë për t’u vetëkënaqur dhe festuar. Thotë se u unifikua alfabeti dhe shqiptarët në Kongresin e Manastirit, ku në realitet, aty u shpërfaqen divergjenca dhe unifikimi ishte i pamundur.

Osmani përkujton Kongresin e Manastirit – thotë se u unifikuan shqiptarët aty ku në të vërtetë unifikimi nuk ndodhi

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar dhe uruar përvjetorin e Kongresit të Manastirit, për të cilin thotë se është datë me rëndësi të shumëfishtë, meqë aty u unifikua Alfabeti i Gjuhës Shqipe, njofton Insajderi.

Ky vlerësim i Osmanit për rëndësinë e Kongresit të Manastirit, bije ndesh me të vërteten historike, meqë ky kongres i përfundoi punimet pa marrë një vendim se cili do të bëhej alfabeti që do të përdoronin shqiptarët pas vitit 1908.

Ajo në profilin e saj në Facebook, ka shkruar se “Kongresi i Manastirit shënon një nga ngjarjet më të rëndësishëm të historisë kombëtare”.

Tutje Osmani ka thënë se “duke e unifikuar alfabetin, delegatët e tij e unifikuan popullin shqiptar rreth një identiteti të përbashkët dhe e riorientuan atë përfundimisht drejt kulturës e qytetërimit perëndimor, pjesë e të cilit qemë prej shekujsh” – pretendim ky i cili nuk përkon me realitetin e saj kohe.

Përpos që ky kongres nuk arriti të bëjë një unifikim të alfabetit për shqiptarët, në punimet e këtij kongresi as delegatët pjesëmarrës nuk e “unifikuan popullin shqiptar rreth një qëndrimi të përbashkët”, sic thotë Osmani, por vetë ata ishin përçues të dy rrymave politiko kulturore, njëra që mbronte idenë austriake për germa latine, dhe tjera qe mbronte interesin e Perandorisë Osmane për germa arabe, qëndrime këto që u mbrojtën deri në fund.

Si rezultat i këtyre dy rrymave, ku përmes njërës palë perëndimi kërkonte që t’i përvetësojmë standardet e tij, dhe përmes Palës tjetër, Perandoria Osmane kërkonte që të jemi shtojcë e saj në Ballkan, një bashkim për interesat e shqiptareve nuk u realizua.

Në fund Osmani ka vazhduar me rrëfimin e të pa vërtetë për të vërteten e Kongresit të Manastirit, ku ka thënë se “sot i përulemi vizionit të delegatëve të Kongresit. Vepra e tyre për bashkimin e shqiptarëve rreth vlerave identitare dhe qytetërimit perëndimor duhet të jetë udhërrëfyes i përhershëm për ne”.