Hoti komenton deklaratat e Vuçiqit për luftë

Hoti komenton deklaratat e Vuçiqit për luftë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur pas deklaratave së presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili përmendi një luftë të re nëse dialogu mes dy vendeve nuk ka sukses, njofton Insajderi.

Sipas Hotit Kosova dhe Serbia janë në negociata për paqe dhe se ndryshimi i kufijve s’do të diskutohet kurrë.

Ai në televizionin klan të Maqedonisë, ka thënë se “ne nuk jemi duke negociuar marrëveshje tregtare me Serbinë dhe unë këtë e kam bërë të qartë edhe në takimet që kam pasur me presidentin serb në procesin e dialogut por edhe në tryeza të tjera ndërkombëtare tjera ku jam ballafaquar me të”.

Tutje Hoti ka thënë se “po negociojmë një marrëveshje paqeje në mes të dy vendeve që nënkupton pranim i standardeve ndërkombëtare, pranim i aktgjykimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, marrje përsipër e përgjegjësisë për viktimat e shkaktuara, për të pagjeturit…pra përmbyllje e një kapitulli të rëndësishëm i cili mund të përmbyllet vetëm duke e njohur dhe pranuar realitetin”.

I pyetur se a është vija kufitare në me të dy vendeve ende në tavolinë?

Hoti është përgjigjur se “Asnjëherë. S’ka qenë asnjëherë, gjatë kësaj qeverie jo se jo. Ajo temë nuk diskutohet”.

“Tani ajo që po diskutohet është marrëveshja përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe njohje reciproke ku pikë e parë do të jetë njohja reciproke”, tha Hoti.

Vuçiç javë më parë tha se nuk dëshiron konflikt të ngrirë me Kosovën, ndërsa për ta ilustruar pasojat që mund të kishte, sipas tij, ai përmendi luftën e zhvilluar në Nagorno Karabak ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke thënë se si “nga një konflikt i ngrirë prej 30 vjetësh mund të shpërthejë lufta”./Insajderi.com