Maqedoni e Veriut: Ushtarët do të kujdesen për sigurinë në spitale

Maqedoni e Veriut: Ushtarët do të kujdesen për sigurinë në spitale

Pjesëtarët e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të paarmatosur, do të ndihmojnë institucionet dhe punonjësit shëndetësorë në përballjen me situatën e krijuar nga pandemia me COVID 19, njofton Insajderi.

Ushtarët do të kenë për detyrë të ruajnë rendin në spitale ose në depot ku do të mbahen materiale mjekësore. Këto janë konkluzat e nxjerra nga mbledhja e sotme e Qendrës për Menaxhimin me Kriza në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku është shqyrtuar dhe miratuar plani i Ministrisë së Shëndetësisë së këtij vendi pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Pas mbledhjes së Qendrës, sot është mbledhur edhe komiteti qeveritar për menaxhim. Është vlerësuar se në aspekt të sigurisë, situata në shtet është nën kontroll dhe popullata nuk ka nevojë të krijojë panikë.

Rendi dhe qetësia, në asnjë vend nuk janë rrezikuar, ndërsa pjesëtarët e armatës do të jenë aty për të ndihmuar punonjësit shëndetësor që pa asnjë pengesë të kryejnë obligimet e tyre. /Insajderi.com