BE thotë se nuk është bllokuar dialogu, takimi i radhës “porsa të lejojnë kushtet”

BE thotë se nuk është bllokuar dialogu, takimi i radhës “porsa të lejojnë kushtet”

Në Bruksel insistojnë se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë nuk është bllokuar, njofton Insajderi.

“Që nga rifillimi në korrik dialogu po vazhdon dhe po avancon me takime të ekspertëve dhe në nivel politik. Takimi radhës i nivelit të lartë politik do të thirret në Bruksel, porsa të lejojnë kushtet”, tha për Radion Evropa e Lirë njëri nga zëdhënësit e BE-së, Peter Stano.

Mirëpo, siç shprehen nga Qeveria e Kosovës, vonesat në dialog janë të ndërlidhura ekskluzivisht me pandeminë.

“Për shkak të valës së dytë të pandemisë COVID-19, Brukseli është komplet i mbyllur për takime. Nuk ka asnjë pengesë tjetër. Janë duke vazhduar përgatitjet për takimet e grupeve teknike sapo të krijohen rrethanat”, deklaruan për Radion Evropa e Lirë nga Zyra e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Sipas tyre, aktualisht, nuk ka asnjë datë të përcaktuar për ndonjë takim të radhës.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Avduallah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të fundit në Bruksel më 7 shtator, ku presidenti serb kishte ngritur edhe çështjen e Asociacionit të komunave më shumicë serbe, organ ky që Serbia kërkon të ketë kompetenca ekzekutive, e që do të menaxhonte një varg çështjesh për dhjetë komunat me shumicë serbe.

Pas kthimit në Kosovë, kryeministri Avdullah Hoti kishte deklaruar se çështja e Asociacionit nuk do të kthehet në tavolinën e bisedimeve “pasi ajo është çështje e mbyllur”, por Serbia e quan të pakuptimtë dialogun nëse nuk diskutohet edhe për këtë çështje. /Insajderi.com