Masat e fundit anti-COVID’19 të marra nga Qeveria e Kosovës nuk është se e kanë rezultuar të suksesshme. Numri i vdekjeve dhe i infektimeve vazhdon të mbetet i lartë. Prandaj, po shqyrtohet përsëri opsioni i mbylljes totale për një afat të caktuar. Gazeta Online Insajderi mëson se disa njësite policore veçse kanë filluar përgatitjet për ta realizuar këtë plan. Zyrtarisht nga Qeveria e Kosovës nuk e kanë konfirmuar opsionin për mbyllje.
Numrat e lartë të personave që po rezultojnë pozitivë me COVID-19 dhe gjithashtu numri i të vdekurve nga ky virus ditëve të fundit, ka bërë që Qeveria aktuale ta mendojë përsëri mbylljen totale – siç kishte ndodhur në mars të këtij viti.
Kjo pasi situata pandemike është përkeqësuar muajin e fundit.
Burime të Gazetës Online Insajderi brenda Policinë së Kosovës kanë thënë se disa njësiteve policore u është kërkuar të përgatiten për kufizime të reja; të ngjashme me ato të pranverës.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka raportuar 939 vdekje dhe 35.549 raste të reja me COVID-19 që nga dita kur pandemia shpërtheu tetë muaj më parë.
Ndërsa vetëm në dy ditët e fundit 25 persona kanë vdekur nga COVID-i dhe ka pasur plotë 1204 të infektuar. Prandaj, një mbyllje e plotë po shqyrtohet si opsion.
Një vendim i tillë për këto masa potenciale mund të merret në Komitetin e vlerësimit të situatës pandemike që do të mblidhet gjatë kësaj jave.
Megjithatë, zyrtarisht ende nuk është ndërmarrë diçka në këtë drejtim.
Insajderi ka pyetur në Ministrinë e Shëndetësisë për opsionin e mbylljes, por përgjigja e tyre ka qenë e tërthortë, gjithsesi duke mos e përjashtuar si mundësi.
“Çdo javë bëhet analiza e situatës epidemiologjike dhe vlerësimit rreth kategorizimit të komunave varësisht nga numri i të infektuarve brenda një jave në 100 000 banorë”.
Një izolim të plotë nuk e ka mohuar as ministri i këtij digasteri të Qeverisë. Armend Zemaj, të martën, 24 nëntor, deklaroi se mund të ketë vendime tjera cenzuruese në rast se nuk mund të menaxhohet kriza aktuale.
“Do të shohim si do të veprojmë tutje. Nëse do të duhet të kemi kufizime, në rast se nuk mund të menaxhohet infeksioni”.
Por, ministria qe Zemaj drejton ende nuk i ka propozuar asgjë Qeverisë së Kosovës.
Antigona Bazhaku, këshilltare për media në zyrën e kryeministrit, Avdullah Hoti, i tha Insajder-it se nuk kanë pranuar asnjë dokument me sugjerime të reja si pjesë e politikave anti-COVID.
“Qeveria nuk ka marrë asnjë propozim nga Ministria e Shëndetësisë në lidhje me masat e reja”, tha ajo.
Aktualisht masat anti-COVID janë të ndarë në dy grupe. Ato që përfshijë gjithë territorin e Kosovës dhe masa të cilat vlejnë për komuna të kategorizuara në tre grupe sipas nivelit të rrezikshmërisë.
Sa u përket masave që përfshijnë gjithë territorin e Kosovës, janë ato për kontrollet në hyrje-daljet nëpër kufijtë e Kosovës; arsimi i lartë ka kaluar plotësisht në formën online ndërsa ai parauniversitar vazhdohet sipas manualeve nga Ministria e Shëndetësisë, ajo e Arsimit dhe komunave.
Ekipet mjekësore teknike janë rikthyer nëpër pikat kufitare për kontrolle; janë ngritur shtabet komunale emergjente nëpër gjitha komunat po ashtu.
Sa u përket masave specifike për komunat, IKSHPK i ka ndarë ato në komuna me rrezikshmëri të lartë (mbi 150 të infektuar brenda javës), rrezikshmëri të mesëm (76 deri 150 të infektuar brenda javës) dhe të ulët (deri në 75 të infektuar brenda javës).
Në komunat me rrezikshmëri të lartë, ku është e koncentruar mbi gjysma e aktivitetit ekonomik e ku përfshihen Prishtina, Podujeva, Gjakova, Peja, Ferizaj dhe Fushë Kosova, aktiviteti ekonomik mbyllet nga ora 19:00 e mbrëmjes deri në orën 5:00 të mëngjesit dhe në këtë orar ndalohet gjithashtu edhe lëvizja e lirë me orë policore./Insajderi.com