Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka njoftuar se ka ndërmarrë të gjitha masat ndaj zyrtarit të kësaj ministrie, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë procesit të shpërndarjes së licencave të disa kompanive private, që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të derivateve të naftës, njofton Insajderi.
Në njoftimin për medie të MTI-së thuhet se rastin e ka proceduar në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe të Korrupsionit.
“Përveç procedimit të lëndës në organet e lartpërmendura, zyrtarit në fjalë i është shqiptuar masa disiplinore “Largim nga shërbimi civil”, për të mos e penguar procesin e hetimeve të organeve kompetente deri në zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në njoftim
“MTI kërkon nga organet kompetente që ta hetojnë dhe ta ndriçojnë rastin sa më shpejt”, bën të ditur tutje MTI. /Insajderi.com