Haradinaj-Stublla për kërkesën e Vuçiqit: Nuk ka leje për vizita në Kosovë pa kërkim falje për krimet e bëra

Haradinaj-Stublla për kërkesën e Vuçiqit: Nuk ka leje për vizita në Kosovë pa kërkim falje për krimet e bëra

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se nuk do ketë leje për futje në Kosovë, deri në kohën kur shteti i tij të kërkojë falje për krimet e bëra ndaj shqiptarëve.

Haradinaj-Stublla e ka deklaruar një gjë të tillë përmes një shkrimi në Tëitter, duke ia përmendur një deklaratë të tijën të dhënë përgjatë inaugurimit të një spitali në Batajnicë, vend ky ku u gjetën 744 trupa të shqiptarëve të vrarë.

Kryediplomatja kosovare tutje ka thënë se ka mbaruar koha kur Kosova keqpërdoret për “shou politik”.

“Vuçiqi paska deklaruar mbrëmë se në përurimin e një spitali në Batajnicë (mu aty ku u gjetën 744 trupa të shqiptarëve të vrarë e masakruar – në mesin e të cilëve është edhe axha im nga masakra e Lybeniqit) se ‘ndihet krenar’ që është kryetar i një shteti që pas 21 vitesh përfundim të luftës, kanë dhënë leje për të kryer gërmime në varrezat masive të shqiptarëve të vrarë e masakruar nga Serbia. E pyes publikisht Vuçiqin, si familjare e prekur nga gjenocidi i Serbisë në Kosovë: a je ndier “pokaq krenar” edhe kur ke qenë në tavolinën ku u morr vendimi për të kryer këto  krime kundër shqiptarëve të Kosovës?!”.

“E përsëris edhe një herë përgjigjen e vetme dhe të përhershme për të gjitha kërkesat e ardhshme të Vuçiqit dhe të tjerëve: NUK KA LEJE PËR JU PËR VIZITA NË KOSOVË PËRDERISA NUK KËRKONI FALJE PËR GJENOCIDIN E KRYER NDAJ POPULLIT TONË, DHE PËRDERISA NUK VIHEN PARA DREJTËSISË NDËRKOMBËTARE PËRGJEGJËSIT E ATIJ GJENOCIDI”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.