Sadaku dhe Alla janë dy qentë e FSK-së që kishin ndihmuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në aksionin e kërkim-shpëtimit pas tërmetit në Shqipëri. Përformanca e tyre e jashtëzakonshme kishte shpëtuar jetë njerëzish, derisa ata u bën të famshëm dhe të bëmat e tyre mbetën në kujtesën e shqiptarëve. Dy qentë u dekoruan edhe me medalje për kontributin e tyre në Durrës e Thumanë. Gazeta Online Insajderi ka realizuar një intervistë me Kujtim Krasniqin, pjesëtarin e FSK-së që bashkë me qenin që e kishte ushtruar prej vjetësh u shndërruan në një partneritet inspirimi në ato kohë të vështira për shqiptarët.
Ka kaluar një vit që nga dita kur një tërmet i fortë me magnitudë 6.4 ballë, goditi Shqipërinë dhe si pasojë vdiqën 51 persona dhe mijëra të tjerë mbetën të lënduar.
Këtë ditë “me dhimbje të mëdha” – për viktimat e shumta dhe të tjerë që dridhjet e tërmetit përveç shtëpive ua kishin rrënuar edhe shpresën, derisa prisnin nën ankth se mos ata që ishin zhdukur po frymonin ende nën gërmadha – e kujton pjesëtari i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kujtim Krasniqi.
Ai mori pjesë në aksionin e kërkim-shpëtimit për ditë me radhë pas tërmetit shkatërrues.
Ka kaluar një vit, por Krasniqi i ka ende shumë të gjalla pamjet e kaosit tragjik të atij nëntori.
Në një intervistë për Gazetën Online Insajderi, ai thotë se e mban mend mirë panikun e njerëzve që ndjehej në ajër dhe hutin që kishin shkaktuar dridhjet fatale.
“Këtë mision e kujtoj me dhimbje të mëdha për personat të cilët humbën jetën e tyre dhe për familjet e shumta shqiptare të cilat ngelen pa strehë, më kujtohen momentet e panikut të popullatës gjatë punimeve nëpër gërmadha të tërmetit të vazhdueshëm, por edhe ndihem krenar që kam marrë pjesë në Kontingjentin e FSK-së”, ka thënë ai.
Krasniqi kujton edhe momentin kur iu kumtua se do të ishte pjesë e ekipit që do të ndihmonte njerëzit që u prekën nga ky tërmet.
“Në momentin e parë që morëm lajmin për tërmetin në Shqipëri me emocion dhe dhembshuri të madhe e kisha dëshirën e pjesëmarrjes në ekipet e FSK-së. Në momentin e lëshimit të urdhrit për pjesëtarët që do marrin pjesë në kontingjentin e FSK-së jam ndjerë jashtëzakonisht krenar që më jepet mundësi të ndihmoj vëllezërit tanë në shtetin amë të Shqipërisë”, shton ai.
Por, për të ndihmuar në aksionin e kërkim-shpëtimit të viktimave të tërmetit, Krasniqi me vete kishte edhe Sadakun – qenin-hero me katër putra që me nuhatjen e tij sinjalizonte trupat nën rrënojat nga tërmeti.
Krasniqi kishte punuar për pesë vjet rresht me Sadakun dhe ky ishte një moment kur do duhej të viheshin në funksion gjithë ato ushtrime me kafshën e ushtrisë.
Sadaku nuk zhgënjeu.
Ai kishte arritur që të lokalizojë tetë trupa njerëzish nën gërmadha, ndërsa qeni tjetër me emrin Allë, të cilin e kishte marrë FSK me vete, gjeti edhe katër trupa të tjerë.
“Specifike interesante e këtyre qenve është butësia e tyre dhe dëgjimi i urdhrave në momentet më të duhura që kërkohet”, thotë Krasniqi për qentë që u dekoruan edhe me medalje për kontributin e tyre në Durrës e Thumanë.
Intervista e plotë e Kujtim Krasniqit për Insajderi-n:
Insajderi: Cili ishte mendimi i parë kur u kontaktuat për të qenë pjesë e ekipit që do të ndihmonte në tërmetin në Shqipëri?
Krasniqi: Në momentin e parë që morëm lajmin për tërmetin në Shqipëri me emocion dhe dhembshuri të madhe e kisha dëshirën e pjesëmarrjes në ekipet e FSK-së. Në momentin e lëshimit të urdhrit për pjesëtarët që do marrin pjesë në kontingjentin e FSK-së jam ndjer jashtëzakonisht krenar që më jepet mundësi të ndihmoj vëllezërit tanë në shtetin amë të Shqipërisë.
Insajderi: Duke marrë parasysh që ky shërbim bëhej ndaj popullit shqiptar të Shqipërisë, a e keni ndierë këtë si obligim moral apo përgjegjësi ushtarake?
Krasniqi: Duke marrë parasysh që ky shërbim bëhej ndaj popullit shqiptar të Shqipërisë kam ndierë obligim moral por edhe njëkohësisht përgjegjësi ushtarake.
Insajderi: Cili ishte rezultati i punës tuaj në këtë mision (pra a keni arritur të shpëtoni ndonjë person)?
Krasniqi: Detyra e K9 të kërkim-shpëtimit është të bëjë identifikimin e saktë të personave te ngujuar, shenjëzimin dhe raportimin tek ekipet shpëtuese . Qeni im i quajtur me emrin Sadak ka identifikuar disa persona të ngujuar në gërmadha në Thuman ku kam qenë me detyrë.
Insajderi: Si e kujtoni sot këtë mision?
Krasniqi: Këtë mision e kujtoj me dhimbje të mëdha për personat të cilët humbën jetën e tyre dhe për familjet e shumta shqiptare të cilat ngelen pa strehë, më kujtohen momentet e panikut të popullatës gjatë punimeve nëpër gërmadha të tërmetit të vazhdueshëm, por edhe ndihem krenar që kam marrë pjesë në Kontingjentin e FSK-së .
Insajderi: Në aksionin e FSK-së morën pjesë edhe qentë Sadak dhe Allë. Si janë duke u trajtuar ata dhe ku janë për momentin?
Krasniqi: Këta qen janë për momentin në kazermën “ Evropianët e Rinj” në Gardën Kombëtare Regjimenti i Mbrojtjes Civile Kompania e Kërkim-Shpëtimit dhe trajtohen në mënyrë të veçantë ku trajnohen vazhdimisht që të jenë të gatshëm për intervenime.
Insajderi: A ka pasur ndonjë intervenim tjetër në të cilët kanë marrë pjesë?
Krasniqi: Brenda shtetit të Kosovës kemi pasur shumë operacione kërkimi ku kanë marrë pjesë këta dy qen.
Insajderi: Nga ku janë marrë dhe para sa kohe, pra si kanë arritur të bëhen pjesë e Forcave të Sigurisë së Kosovës?
Krasniqi: Këta qen janë marrë nga shteti i Turqisë në vitin 2015 dhe në vitin 2018 , pasi kemi përfunduar trajnimin 3 mujor në Turqi bashkë me qen dhe kemi kaluar testet e kërkimit dhe i kemi marrë me vete në Kosovë.
Insajderi: A ka ndonjë specifikë interesante që mundeni të na e tregoni e që nuk dihet deri më tani për ta?
Krasnqi: Specifike interesante e këtyre qenve është butësia e tyre dhe dëgjimi i urdhrave në momentet më të duhura që kërkohet.
Insajderi: Pas aksionit të tyre në Shqipëri, a pritet nga FSK që të shtojë numrin e qeneve për Kërkim- Shpëtim dhe për Kërkim të Minave? Faleminderit paraprakisht.
Krasniqi: Kemi bërë kërkesa për furnizim me qen për Kërkim-Shpëtim dhe Kërkim të Minave, në vitet e ardhshme presim të shtojmë numrin e qenve./Insajderi.com