Kurti – Shefit të BE-së në Kosovë: Një herë zgjedhjet, pastaj presidenti

Kurti – Shefit të BE-së në Kosovë: Një herë zgjedhjet, pastaj presidenti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, me të cilin është diskutuar situate aktuale politike në vend dhe çështja e zgjedhjes së presidentit, njofton Insajderi.

Siç bën të ditur LVV me anë të një njoftimi për media, sipas Kurtit presidenti i ri i vendit duhet të zgjedhet pasi që të kenë folur qytetarët në një proces të ri demokratik zgjedhor.

“Kjo për arsye se qeveria e tanishme nuk ka legjitimitet dhe Kuvendi i Kosovës është bërë jofunksional. Kur nuk kemi keqqeverisje është mosqeverisje. Kjo qeveri nuk është në gjendje ta drejtojë vendin drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit në BE. Uniteti i korpusit politik vjen pas zgjedhjes së një qeverie me legjitimitet qytetar. Njëherë legjitimitet, pastaj unitet”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Njoftimi i plotë:

Sot, kryetari Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes, z. Liburn Aliu, dhe deputetja, znj. Fitore Pacolli, priti në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, ambasadorin Tomas Szunyog, zëvendësin e tij, z. Riccardo Serri, dhe këshilltaren politike, znj. Blerta Bejtullahu.

Gjatë takimit u diskutua situata aktuale politike në Kosovë, dhe çështja e zgjedhjes së presidentit. Kryetari Kurti theksoi se është tejët e rëndësishme që presidenti i ri të zgjedhet pasi që të kenë folur qytetarët në një proces të ri demokratik zgjedhor. Kjo për arsye se qeveria e tanishme nuk ka legjitimitet dhe Kuvendi i Kosovës është bërë jofunksional. Kur nuk kemi keqqeverisje është mosqeverisje. Kjo qeveri nuk është në gjendje ta drejtojë vendin drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit në BE. Uniteti i korpusit politik vjen pas zgjedhjes së një qeverie me legjitimitet qytetar. Njëherë legjitimitet, pastaj unitet.

Ambassador Szunyog nënvizoi rëndësinë e funksionimit demokratik të institucioneve, një Kuvendi të aftë për të miratuar ligje, nevojën e vazhdimit të dialogut me Serbinë, dhe nevojën për avancimin dhe zbatimin e agjendës së MSA-së.

Kryetari Kurti bëri të ditur se agjenda evropiane e shtetit tonë është e rëndësishme për zhvillim dhe avancim të shtetit të Kosovës. Tani kur Kosova po përballet me pandeminë COVID-19 dhe ndikimi që ajo po ka në ekonomi, më së shumti kemi nevojë për politika zhvillimore dhe mbështetëse për qytetarët dhe bizneset në vend. Ndërsa, për dialogun Kosovë-Serbi është i domosdoshëm një fillim i ri që procesi të ketë kredibilitet. E për këtë, duhet të ndodh demokratizimi dhe evropianizimi i dialogut, zëvendësimi i qasjes transaksionale me atë transformuese dhe transatlantike.

Të dyja palët u pajtuan se është e nevojshme dhe e dobishme që të vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin. /Insajderi.com