Kryeministri thotë se do të hetohet çanta e vjedhur në Bruksel

Kryeministri thotë se do të hetohet çanta e vjedhur në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka premtuar se do të ketë hetim në lidhje me çantën e vjedhur të një zyrtari shtetëror në Bruksel.

Ai u pyet nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, se çfarë ka ndodhur me çantën e humbur.

Hoti theksoi se janë në bashkëpunim të vazhdueshëm për ndriçimin e këtij rasti.

“Zyrtarët përkatës të ambasadës tonë në Bruksel kanë qenë dhe janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet belge për ndriçimin e gjitha rrethanave lidhur me këtë çështje. Zyrtarët e ambasadës për këtë çështje, e kanë raportuar edhe tek autoritet përkatëse policore në Kosovë, siç edhe e dëshmon raporti i publikuar në media. Madje në këtë pikë shqetësim shumë i madh edhe për juve edhe për mua, do të duhej të ishte bërja publike e një raporti policor konfidencial pa u përmbyllur hetimet deri në fund. Unë do të kërkoj hetim për rrethanat se si ka rrjedhur ky raport në media, ndërkohë që hetimi ende po vazhdon”, tha Hoti.

Gjatë një udhëtimi të zyrtarëve në Bruksel për dialogun Kosovë-Serbi ishte vjedhur një çantë ku pretendohet të kishte dokumente konfidenciale. /Insajderi.com