Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve shpallen këtë javë

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve shpallen këtë javë

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut do të shpallen gjatë kësaj jave, njofton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjehdjeve, Valmir Elezi, i cili ka sqaruar se kur do të përfundojë numërimi i të gjitha votave edhe do të bëhet publikimi i rezultateve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i shpallë rezultat përfundimtare të një procesi zgjedhor pasi që të përfundojnë të gjitha procedurat e parapara me ligj këtu në QNR siç është pra numërimi i votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta, të votuesve të kësaj kategorie pra që kanë qenë të prekur me COVID-19 si dhe të votave me postë”, ka thënë Elezi.

“Pasi të përfundojnë të gjitha këto procedura si dhe duhet pritur poashtu nëse në Panelin Zgjedhor të Ankesave dhe të Parashtresave do të ketë ndonjë ankesë lidhur me ngjarjet në vendvotim gjatë ditës së diele pasi që të përfundoj e të kompletohet i gjithë ky proces, KQZ-ja do të dal me rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve dhe po besojmë që gjatë ditëve ne vijim do të arrihet kjo”, ka shtuar ai për EO.

Sipas Elezit në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve do të fillojë të bëhet numërimi i fletëvotimeve të votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta, votave të atyre që kanë qenë të infektuar me COVID-19 si dhe votat të cilat kanë ardhur me postë.

“Këtu në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve të dielën në mbrëmje e kemi pranuar materialin zgjedhor nga Komuna e Podujevës dhe e Mitrovicës së Veriut ku është zhvilluar gjatë ditës së djeshme procesi zgjedhor”.

“Në bazë të procedurave të rëndomta të cilat zhvillohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve bëhet evidentimi i të gjithë këtij materiali i cili pranohet dhe po sipas proceduarve besojmë qe së shpejti do të bëhet numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta, votave të votuesve të cilët kanë qenë të infektuar me COVID-19 si dhe votat të cilat kanë ardhur përmes postës. Besojmë që ky proces do të fillojë shumë shpejt dhe rezultati pastaj i numërimit të këtyre fletëvotimeve i bashkohet rezultatit të vendvotimeve. Pra numërim i cili është bërë të dielën në mbrëmje”, ka thënë tutje Elezi. /Insajderi.com